Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në Konventën Promovuese të kandidatit Jakup Huseini në Çellopek, tha se Bërvenica duhet të jetë komuna e 11-të që do t’i bashkohet komunave të udhëhequra nga VLEN-i.
Kasami tha se Jakup Huseini e njeh mirë komunën dhe nevojat e banorëve, ndërsa premtoi mbështetje të plotë institucionale për realizimin e projekteve në Bërvenicë.
“Jakupi vjen me program, ndërsa ne vijmë me mbështetje të plotë për të. Ashtu siç e transformuam çdo komunë, me investime rekord të financuara nga Qeveria, kjo dorë e zhvillimit do të vijë edhe në Bërvenicë”, tha Kasami.;
Ai përmendi disa nga projektet që, sipas tij, do të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm, përfshirë përfundimin e çerdhes në Çellopek dhe Sallës së Sportit, përmirësimin e kushteve në shkolla, investimet në rrugë, menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e mjedisit.;
Kasami theksoi se këto nuk janë premtime boshe, duke iu referuar projekteve të realizuara në komunat e tjera të udhëhequra nga VLEN-i.
“Pra, nuk vijmë me premtime boshe si ata që qeverisën 20 vjet. Vijmë me shembuj konkretë, me model të dëshmuar të qeverisjes së përkushtuar në punë dhe zhvillim”, deklaroi Kasami.;
Në fjalimin e tij, ai u ndal edhe te uniteti brenda VLEN-it, duke thënë se kundërshtarët politikë, sipas tij, shpresojnë në përçarjen e këtij subjekti.;
“VLEN-i është i bashkuar, i konsoliduar dhe unik. Të gjithë pas Jakupit në Bërvenicë”, tha Kasami, duke shtuar se ky projekt është më i madh se interesat individuale.;
Kasami e mbylli fjalimin me thirrjen për mbështetje të Jakup Huseinit në zgjedhjet e 18 tetorit, duke e cilësuar fitoren në Bërvenicë si hapin e radhës të VLEN-it.;
“Ky tren nuk ndalet. Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Koha e tyre ka mbaruar. Këtë do ta dëshmojmë edhe me 18 tetor, me fitoren e Jakupit në Bërvenicë. Ora e zhvillimit erdhi edhe për Bërvenicën”, tha Kasami.



