147 denarë për një shujtë studentore. A mjaftojnë?
Kjo është përgjigjja e Ministres së Arsimit ndaj kërkesës së përbashkët të unioneve studentore për rritjen e subvencionit për shujtën studentore nga 140 në 200 denarë.
Sipas Ministres, duke u bazuar në inflacionin, subvencioni duhet të arrijë në 147 denarë.
Por, nga këndvështrimi ekonomik, një subvencion që ka një qëllim të qartë: mbështetjen e studentëve për ushqim, nuk është e mjaftueshme të përcaktohet vetëm duke iu referuar inflacionit të përgjithshëm.
Duhet të merret parasysh kostoja e ushqimit, çmimet e vakteve dhe fuqia blerëse e subvencionit. Sepse në fund, rëndësi nuk ka vetëm sa denarë merr studenti, por çfarë mund të blejë me ta.
Por shqetësues është edhe paralajmërimi për ndryshimin e mënyrës së përdorimit të subvencionit, duke e kufizuar atë në objekte të caktuara.
Fleksibiliteti nuk është luks. Sot, mundësia për ta përdorur subvencionin edhe në supermarkete u jep studentëve mundësinë të zgjedhin se çfarë të blejnë, në përputhje me nevojat e tyre, orarin e ligjëratave dhe mundësitë financiare.
Sidomos për studentët që jetojnë në konvikte, kjo mundësi është e rëndësishme. Jo çdo student ka mundësi të konsumojë një vakt në një objekt të caktuar.
Prandaj, në vend që subvencioni të bëhet më pak fleksibil, duhet të sigurohemi që ai të jetë sa më funksional për studentin.
Një politikë sociale duhet t’u përshtatet nevojave reale të studentëve, jo t’i detyrojë ata t’i përshtaten një sistemi më të kufizuar.
200 denarë është kërkesa e studentëve. Tani është radha e institucioneve t’i dëgjojnë.



