Dr. Arben Ramkaj
Protestat e fundit në Tiranë nuk hapën vetëm një debat politik. Ato sollën në qendër të vëmendjes një pyetje që shqiptarët e kanë shmangur prej vitesh: çfarë është në të vërtetë shteti amë dhe deri ku shkon përgjegjësia e tij?
Pjesëmarrja e figurave publike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë politikanë të koalicionit VLEN, si dhe vendimi i autoriteteve shqiptare për të shpallur disa prej tyre persona non grata, e bënë këtë debat edhe më aktual. Në të njëjtin kontekst u përmend edhe emri i hoxhës Bekir Halimi, gjë që, për hir të së vërtetës, më habiti. Nuk kam dijeni që ai të ketë nxitur publikisht protestat në Shqipëri. Megjithatë, ky nuk është thelbi i këtij shkrimi. Një fakt mbetet i padiskutueshëm: hoxha Bekir Halimi gëzon respekt të gjerë në mbarë komunitetin mysliman shqiptar, ashtu si edhe shumë politikanë shqiptarë nga VLEN, Lëvizja Vetëvendosje, BDI dhe subjekte të tjera gëzojnë mbështetje dhe respekt në Shqipëri.
Ajo që më intereson në këtë shkrim është një çështje më e thellë.
Për shqiptarët e rajonit, Shqipëria është shteti amë. Ajo përfaqëson historinë, gjuhën, kulturën dhe kujtesën tonë kombëtare. Por shteti amë nuk është i njëjtë me shtetin juridik. Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shtete sovrane, secili me institucionet dhe rendin e vet kushtetues. Lidhja kombëtare nuk mund të zëvendësojë ligjin dhe as sovranitetin e secilit shtet.
Pikërisht këtu lind keqkuptimi. Shpesh kombi ngatërrohet me shtetin, sikur kufijtë juridikë të mos ekzistojnë. Por ata ekzistojnë dhe vlejnë për të gjithë. Nëse një qytetar i Kosovës, i Maqedonisë së Veriut apo i Malit të Zi angazhohet në jetën politike të Shqipërisë, ai do të trajtohet si shtetas i një shteti tjetër. E njëjta logjikë do të zbatohej edhe në Prishtinë, Shkup apo Podgoricë ndaj një qytetari të Shqipërisë.
Kjo nuk është çështje patriotizmi. Është çështje e respektimit të rregullave mbi të cilat funksionojnë shtetet kombe.
Përvoja e Ballkanit ka treguar se në kohë krizash politika shpesh e errëson arsyen. Jo rrallë, vendimet dhe qëndrimet politike ndikohen më shumë nga tensioni i momentit sesa nga gjykimi racional. Në raste të tilla, dëshira për të mposhtur kundërshtarin politik mbizotëron mbi interesin publik. Fatkeqësisht, edhe Shqipëria nuk ka qenë përjashtim nga ky realitet gjatë 35 viteve të fundit.
Megjithatë, kjo nuk e zhvesh Shqipërinë nga përgjegjësia që mbart si shtet amë. Pikërisht për këtë arsye është e gabuar që ajo të identifikohet me një parti, një qeveri apo një krah politik në raport me shqiptarët e rajonit. Ajo duhet të jetë shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Autoriteti i saj buron nga paanshmëria, drejtësia dhe aftësia për të mbrojtur interesin kombëtar mbi interesat politike të ditës.
Edhe shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë duhet ta kuptojnë këtë. Ata nuk duhet të presin që shteti amë të mbështesë një krah politik kundër një tjetri. Ajo që kanë të drejtë të presin është mbështetje për arsimin, kulturën, identitetin kombëtar, diplomacinë, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e kapaciteteve. Pikërisht kështu ndërtohet besimi dhe forcohet lidhja kombëtare.
Edhe kur lindin mosmarrëveshje, dialogu duhet të jetë rruga e parë. Masat ndëshkuese ndaj shqiptarëve jashtë kufijve nga shteti amë duhet të mbeten përjashtim dhe jo praktikë, duke u përdorur vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë e tjera ligjore dhe institucionale. Një shtet amë nuk e forcon autoritetin duke ndëshkuar shqiptarët, por duke fituar besimin dhe respektin e tyre.
Prandaj, ky debat nuk duhet parë vetëm si një përplasje politike. Ai është një mundësi për të kuptuar më mirë marrëdhënien mes kombit, shtetit dhe rolit që duhet të ketë shteti amë.
Kombi na bashkon. Shteti vendos rregullat. Njëri nuk mund ta zëvendësojë tjetrin.
Në fund të fundit, forca e shtetit amë nuk matet me vendime te paqarta, por me drejtësinë që garanton, me besimin që frymëzon dhe me aftësinë për t’i bashkuar shqiptarët pa dallim. Nëse arrin ta përmbushë këtë mision, ai fiton autoritet moral dhe zë vend në histori. Ky është aspirimi më i lartë që mund të ketë çdo udhëheqës: të kujtohet jo si drejtues i një partie apo i një qeverie, por si një figurë që i shërbeu kombit dhe la pas një trashëgimi bashkimi me te drejte te quhet Babai i Kombit.



