Azir Aliu
Në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Dritëro Agolli nuk ndërton vetëm portretin satirik të një zyrtari të zhytur në vetëkënaqësinë e pushtetit. Ai zbërthen anatominë e një modeli qeverisjeje në të cilin fjala e zëvendëson gradualisht punën, mbledhja e zëvendëson vendimin, raporti e mbulon realitetin, ndërsa përgjegjësia shpërndahet aq shumë nëpër korridoret e administratës, saqë në fund duket sikur nuk i takon askujt.
Shoku Zylo është gjithmonë i angazhuar. Harton ide, jep orientime, kërkon raporte, organizon takime dhe flet për vizionin. Sillet sikur zotëron informacione që të tjerët nuk mund ti arrijnë dhe sikur vetëm ai është në gjendje ta kuptojë kompleksitetin e situatës. Megjithatë, pas gjithë atij aktiviteti të dukshëm, realiteti mbetet pothuajse i pandryshuar. Fjalët shumohen, dokumentet trashen, por problemi vazhdon të qëndrojë aty ku ishte. Agolli nuk e paraqet Zylon vetëm si një individ të paaftë. Ai e paraqet si produkt të një sistemi që shpërblen fasadën më shumë se përmbajtjen, bindjen më shumë se kompetencën dhe përshtypjen e punës më shumë se rezultatin e saj. Pikërisht për këtë arsye, duke e parë Gostivarin sot, është e vështirë të mos e kujtosh botën e romanit.
Jo sepse situata lë hapësirë për humor. Përkundrazi, ajo është tepër serioze për tu trajtuar vetëm me ironi. Por paralelja bëhet e pashmangshme kur përballë një çezme prej së cilës qytetari nuk guxon të pijë ujë, institucionet vazhdojnë të prodhojnë më shumë shpjegime sesa zgjidhje. Ka njoftime, konferenca, koordinime, komisione, analiza, kundëranaliza dhe interpretime të ndryshme institucionale. Aktiviteti paraqitet si rezultat, procedura si zgjidhje, ndërsa komunikimi si zëvendësim i veprimit. Ndërkohë, familjet në Gostivar nuk pyesin sa institucione janë mbledhur në një sallë dhe sa raporte janë përgatitur. Ato pyesin ku do ta sigurojnë sot ujin e pijshëm. Sepse komunikata mund ta përshkruajë krizën, por nuk e mbush gotën me ujë. Deklarata mund ta arsyetojë vonesën, por nuk e përgatit qumështin e foshnjës në familjet Gostivarase. Raporti mund ta dokumentojë problemin por nuk e furnizon familjen me ujë dhe nuk ia mundëson një të moshuari ta marrë terapinë me ujë të sigurt.
Përgjegjësia publike fillon pikërisht aty ku fjala shndërrohet në veprim dhe veprimi në siguri të prekshme për qytetarin.
Megjithatë, do të ishte gabim që gjithçka që po ndodh ta reduktonim në një pompë, një urdhër ose një ditë të vetme. Ato janë çështje të procedurës hetimore dhe përgjegjësia individuale duhet të përcaktohet nga drejtësia. Por sistemet jetike siç është në këtë rast uji, rrallë rrëzohen brenda një nate. Ato dobësohen për vite, përmes problemeve që relativizohen, paralajmërimeve që harrohen, investimeve që shtyhen dhe zgjidhjeve të përkohshme që paraqiten si reforma.
Të dhënat e auditimit për funksionimin e sistemeve të furnizimit me ujë kishin evidentuar që më herët se Gostivari përballej me humbje jashtëzakonisht të larta të ujit. Për vitin 2019, niveli i ujit të pafaturuar ose të pakontrolluar ishte raportuar në rreth 81 për qind. Në këtë kategori përfshihen humbjet fizike nga rrjeti, konsumi i paligjshëm, pasaktësitë e matësve dhe sasitë që nuk evidentohen siç duhet. Kjo shifër nuk dëshmon ndotje mikrobiologjike. Por dëshmon diçka tjetër, po aq të rëndësishme: një sistem me probleme serioze të matjes, mbikëqyrjes, mirëmbajtjes dhe menaxhimit.
Një ndërmarrje që nuk arrin të kontrollojë një pjesë kaq të madhe të ujit që hyn në sistem, nuk ka vetëm problem financiar. Ajo ka problem me njohjen e rrjetit të vet, me lokalizimin e humbjeve, me planifikimin e presionit dhe me kontrollin e proceseve teknike. Kur nuk e di me saktësi se sa ujë hyn, ku humbet dhe sa arrin te konsumatori, vështirë se mund të pretendosh se e kontrollon plotësisht sistemin. Në vitin 2024, Gostivari u përball përsëri me ndalim të përdorimit të ujit, atëherë për shkak të pranisë së manganit mbi vlerat e lejuara. Në të njëjtën periudhë u raportuan analiza që jepnin përfundime të ndryshme për cilësinë e të njëjtit ujë. Ndalimi më vonë u hoq pas analizave të reja, por episodi duhej të shërbente si alarm për forcimin e monitorimit, standardizimin e marrjes së mostrave dhe krijimin e një sistemi transparent të raportimit.
Në vend të kësaj, problemi u trajtua si incident që përfundoi në momentin kur u hoq ndalimi.
Në pranverën dhe fillimin e verës së vitit 2026, vetë ndërmarrja komunale njoftonte për zëvendësime të pjesëve të rrjetit të amortizuar, defekte, mungesë uji dhe presion të pamjaftueshëm. Në komunikimet publike u kërkua përdorim më racional i ujit dhe u paralajmëruan masa ndaj konsumit të pakontrolluar.
Sigurisht, çdo qytetar ka detyrim ta përdorë ujin me përgjegjësi. Por administrimi serioz nuk mund të reduktohet vetëm në kërkesën që qytetari të konsumojë më pak. Kur sistemi humbet sasi të mëdha të ujit, ka tubacione të vjetra dhe nuk garanton presion të qëndrueshëm, përgjegjësia nuk mund të zhvendoset kryesisht te familja që ujit kopshtin.
Këtu shfaqet përsëri logjika e shokut Zylo: problemi kërkohet te sjellja e qytetarit, sepse është më e lehtë ta edukosh publikun sesa ta reformosh sistemin që drejton. Një administratë serioze i bën të dyja. Kërkon përgjegjësi nga qytetari, por së pari jep llogari për përgjegjësinë e vet. Publikon sa ujë humbet, ku humbet, sa kilometra rrjet janë rehabilituar, sa matës janë zëvendësuar, sa investime janë realizuar dhe në çfarë afati do të zvogëlohen humbjet.
Në këtë sfond, kronologjia e javëve të fundit nuk duket më si një aksident i shkëputur nga e kaluara, por si përfundimi i një serie paralajmërimesh që nuk prodhuan reformën e nevojshme.
Më 24 qershor, qytetarët u informuan se uji nuk ishte i sigurt për konsum për shkak të ndërhyrjeve teknike të lidhura me përmirësimin e presionit në rrjet.
Më 29 qershor, publiku u njoftua se mostrat e marra në disa pika kishin rezultuar të rregullta nga aspekti bakteriologjik dhe fiziko-kimik dhe se uji mund të përdorej.
Më 17 korrik, pas rritjes së numrit të pacientëve me simptoma gastrointestinale, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për shkak të dyshimit të bazuar se ai ishte i ndotur dhe i pasigurt. Një ditë më vonë, Instituti i Shëndetit Publik rekomandoi që uji të mos përdorej për pije, gatim, larjen e frutave dhe perimeve, përgatitjen e kafesë, çajit dhe akullit, larjen e dhëmbëve dhe higjienën e duarve. Për pije nuk rekomandohej as pas vlimit.
Në një hark të shkurtër kohor, qytetari dëgjoi tri mesazhe për të njëjtën çezmë: Uji nuk është i sigurt. Uji është i sigurt. Mos e përdorni. Ky nuk është vetëm problem komunikimi. Është çarje e besimit publik.
Kur qëndrimi zyrtar ndryshon pa u shpjeguar qartë se çfarë ka ndryshuar në mostrat, lokacionet, metodologjinë apo parametrat laboratorikë, qytetari nuk informohet. Ai çorientohet.
Një analizë e rregullt nga një pikë e caktuar dhe në një moment të caktuar nuk mund të prezantohet automatikisht si certifikatë absolute për çdo segment të rrjetit, çdo lagje dhe çdo orë të ditës. Një përfundim profesional duhet të shpjegojë se ku është marrë mostra, kur është marrë, cilët parametra janë analizuar dhe cilën pjesë të sistemit përfaqëson.
Kur këto të dhëna mungojnë, raporti nuk e zvogëlon pasigurinë. Ai vetëm e zhvendos atë.
Çdo zbrazëti që institucionet nuk e plotësojnë me fakte, plotësohet me frikë, dyshim dhe thashetheme. Prandaj edhe besimi është pjesë e shëndetit publik. Sistemi nuk funksionon vetëm mbi bazën e laboratorëve, tubacioneve dhe protokolleve. Ai funksionon edhe mbi bindjen e qytetarit se informacioni që merr është i plotë, i saktë dhe i përgjegjshëm.
Edhe kur çezma të hapet përsëri, shumë qytetarë do ta shikojnë ujin dhe do të pyesin: a mund t’i besoj?
Rikthimi i furnizimit, prandaj, është vetëm gjysma e zgjidhjes. Gjysma tjetër është rikthimi i besimit. Dhe besimi nuk rikthehet me një deklaratë të re, por me transparencë të vazhdueshme, analiza të publikuara dhe sjellje institucionale të qëndrueshme.
Procedurat e Prokurorisë duhet të vazhdojnë pa ndërhyrje dhe pa presion politik. Përgjegjësia penale individuale duhet të përcaktohet mbi bazën e provave, ekspertizës dhe procedurës ligjore. Askush nuk duhet të shpallet fajtor përpara se drejtësia ta thotë fjalën e vet.
Por të dhënat që Prokuroria ka bërë publike janë tepër serioze për tu reduktuar në një defekt të zakonshëm teknik.
Sipas njoftimit zyrtar, më 25 qershor dyshohet se është dhënë urdhër për vendosjen e tri pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor pranë sistemit të ujit të pijshëm. Gjatë vizitës së 16 korrikut, dy prej pompave, sipas Prokurorisë, ishin ende në funksion dhe përmes tyre transferohej ujë nga sistemi i hapur drejt sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm.
Këto janë pretendime të një procedure hetimore dhe përgjegjësia individuale mbetet për tu provuar. Por rezultatet laboratorike të publikuara në të njëjtin njoftim japin një pasqyrë që nuk lejon relativizim.
Në ujin e kanalit të hapur u konstatuan 2.419,6 njësi të baktereve koliforme për 100 mililitra, kundrejt kufirit maksimal të deklaruar prej 50. Në mostrat nga burimi i kaptazhuar u gjetën 39 njësi koliforme për 100 mililitra, ndërkohë që vlera referente duhej të ishte zero. Në një mostër nga një çezmë në rrugën JNA u konstatua klor rezidual prej 1,1 miligramësh për litër, mbi vlerën maksimale prej 0,5 miligramësh për litër të cituar në njoftimin zyrtar. Këto nuk janë metafora politike. Janë të dhëna laboratorike.
Pikërisht për këtë arsye, çështja nuk mund të përfundojë vetëm me përcaktimin nëse një ose disa persona kanë dhënë një urdhër të caktuar. Hetimi duhet të përcaktojë edhe se si ishte e mundur që një sistem nga i cili varet shëndeti i dhjetëra mijëra njerëzve të lejonte një ndërhyrje të tillë pa alarm, pa ndalim automatik dhe pa reagim në kohë.
Një sistem i sigurt nuk ndërtohet mbi shpresën se askush nuk do të gabojë ose abuzojë. Ai ndërtohet me procedura që e bëjnë gabimin të dukshëm, me sensorë që e zbulojnë devijimin, me regjistra që dokumentojnë çdo ndërhyrje dhe me institucione që komunikojnë menjëherë kur shfaqet rreziku. Nëse një hallkë dështon, duhet të reagojë hallka tjetër. Nëse dështon kontrolli teknik, duhet të reagojë kontrolli laboratorik. Nëse dështon operatori, duhet të reagojë mbikëqyrja. Nëse paraqiten raste të shumta shëndetësore, sistemi epidemiologjik duhet të aktivizohet pa vonesë.
Kur dështojnë njëra pas tjetrës disa hallka mbrojtëse, nuk kemi vetëm gabim individual. Kemi dobësi sistemore.
Në botën e romanit të Agollit, një krizë e tillë ndoshta do të prodhonte menjëherë një mbledhje urgjente. Pastaj do të krijohej një grup pune, do të hartohej një plan veprimi, do të përgatitej një raport për realizimin e planit dhe në fund do të organizohej një konferencë për suksesin e koordinimit.
Të gjitha këto mund të jenë të nevojshme. Por asnjëra nuk e mbush gotën e fëmijës në Gostivar me ujë të pishëm.
Dallimi ndërmjet një administrate funksionale dhe një administrate të tipit “Zylo” është i thjeshtë: e para e mat rezultatin, ndërsa e dyta e përshkruan aktivitetin e vet.
Qytetarit nuk i intereson sa institucione janë mbledhur në një sallë. I intereson sa litra ujë kanë arritur në lagjen e tij. Nuk i intereson sa kamionë janë fotografuar gjatë nisjes. I intereson sa familje janë furnizuar me ujë. Nuk i intereson sa herë është përdorur fjala “koordinim”. I intereson nëse ekziston një orar i besueshëm, një pikë e qartë shpërndarjeje dhe një sasi e garantuar uji.
Krizat nuk menaxhohen duke numëruar deklaratat. Ato menaxhohen duke llogaritur nevojat dhe duke mobilizuar kapacitetet për t’i mbuluar ato.
Komuna e Gostivarit, sipas të dhënave zyrtare të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2021, ka 59.770 banorë rezidentë.Instituti i Shëndetit Publik, në rekomandimet e publikuara posaçërisht për banorët e Gostivarit pas ndalimit të përdorimit të ujit, vlerëson se nevojiten së paku katër litra ujë të sigurt për person në ditë për pije dhe përgatitjen e ushqimit. Kjo jep përllogaritjen: 59.770 banorë * 4 litra = 239.080 litra ujë të sigurt në ditë. Por katër litrat për person përfaqësojnë vetëm nevojën më të drejtpërdrejtë për pije dhe ushqim; ato nuk e mbulojnë plotësisht larjen e duarve, higjienën personale, pastrimin e enëve dhe nevojat e tjera elementare të një familjeje.
Për një përgjigje më të plotë emergjente, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të sigurohen të paktën 15 litra ujë për person në ditë. OBSH–ja vlerëson gjithashtu se rreth 20 litra për person në ditë duhen për të mbuluar edhe higjienën bazë personale dhe higjienën e ushqimit, ndërsa larja e rrobave dhe dushi i plotë mund të kërkojnë sasi edhe më të mëdha. Në bazë të këtyre normave, nevoja minimale emergjente e Komunës së Gostivarit është.
Për një nivel më funksional, që përfshin pijen, gatimin dhe higjienën elementare, nevoja arrin:
Nëse për planifikimin logjistik kësaj sasie i shtohet një rezervë operative prej 10 për qind për humbjet gjatë transportit, shpërndarjen jo të barabartë dhe luhatjet e kërkesës, përllogaritja bëhet:
Pra, për të mbuluar në mënyrë funksionale nevojat bazë të gjithë popullsisë rezidente të Komunës së Gostivarit, objektivi planifikues duhet të jetë rreth 1,3 milionë litra ujë të sigurt në ditë. Kjo është përmasa reale e problemit. Jo sa shishe shfaqen në fotografi, por sa për qind e nevojës reale mbulohet.Menaxhimi fillon pikërisht aty ku përfundon propaganda: te krahasimi ndërmjet asaj që është bërë dhe asaj që realisht nevojitet.
Çdo ditë duhet të publikohet një bilanc i vetëm dhe i kuptueshëm: sa litra ujë janë siguruar, sa janë shpërndarë, cilat lagje dhe fshatra janë mbuluar, sa ujë kanë marrë spitali, ambulancat, kopshtet dhe objektet ushqimore, sa cisterna dhe pika shpërndarjeje janë aktive dhe cilat rezultate laboratorike janë përfundimtare dhe shpallja e tyre ne web faqen e Komunës.
Ky nuk është vetëm detyrim moral. Është instrument menaxherial. Pa numra nuk dihet ku ka mungesë. Pa hartë nuk dihet ku duhet të dërgohet ndihma. Pa person përgjegjës nuk dihet kush duhet të reagojë. Gostivari nuk mund të thuhet se është furnizuar me ujë, kur uji ka arritur në një depo. Gostivari mund të thuhet se është furnizuar me ujë vetëm kur uji ka arritur te nëna me foshnjë, te i moshuari që jeton vetëm, te personi me aftësi të kufizuara dhe te familja që nuk ka transport.
Solidariteti i qytetarëve, bizneseve, diasporës dhe organizatave humanitare mund të jetë i jashtëzakonshëm. Por pa koordinim, një lagje mund të ketë tepricë, ndërsa një tjetër të mbetet pa furnizim.
Njerëzit e krijojnë solidaritetin. Institucionet duhet ta shndërrojnë atë në kapacitet publik.
Në romanin e Agollit, rënia e shokut Zylo nuk është vetëm rrëzimi i një individi. Është ekspozimi i një kulture qeverisjeje që e ka humbur lidhjen me jetën reale. Edhe në Gostivar, përgjegjësia nuk mund të reduktohet vetëm te një emër, një pompë ose një urdhër. Duhet të shqyrtohet i gjithë sistemi dhe mënyra se si është qeverisur ai gjatë viteve. Duhet të sqarohet pse sinjalet për humbje të mëdha nuk prodhuan reforma të dukshme. Pse ndalimi i vitit 2024 nuk u shndërrua në sistem më të fortë të monitorimit. Pse qyteti vazhdoi të përballej me rrjet të amortizuar, mungesë presioni dhe masa emergjente. Pse qytetarët morën mesazhe të kundërta për sigurinë e ujit. Dhe pse një sistem jetik nuk kishte mekanizma që ta zbulonin dhe ndalonin në kohë një ndërhyrje potencialisht të rrezikshme. Përgjegjësia penale është individuale dhe duhet të përcaktohet nga drejtësia. Por përgjegjësia politike është më e gjerë. Përgjegjësia morale i takon atij që e njeh rrezikun dhe nuk reagon. Përgjegjësia profesionale i takon atij që jep garanci pa pasur të dhëna të mjaftueshme ndërsa përgjegjësia menaxheriale i takon atij që, edhe pasi kriza ka filluar, vazhdon të numërojë mbledhjet në vend që të numërojë litrat.Kjo situatë nuk është produkt vetëm i një dite të keqe. Është rezultati i një mënyre qeverisjeje që për vite e ka trajtuar ujin më shumë si temë komunikatash sesa si sistem kritik që kërkon investim, matje, mirëmbajtje, kontroll dhe përgjegjësi të vazhdueshme. Për të gjitha këto duhet të flasim me dokumente, data dhe emra, sapo proceset të kompletohen.
Një shoqëri serioze nuk e ndërton drejtësinë mbi zemërimin e çastit, por as nuk e përdor kohën e hetimit si arsyetim për heshtje dhe pasivitet. Sot pyetja është shumë më e drejtpërdrejtë: A ka çdo familje në Gostivar ujë të sigurt?Sepse qytetari nuk ka nevojë për një shok Zylo që ti shpjegojë se sa e ndërlikuar është situata. Ai ka nevojë për institucione që e kuptojnë se sa e thjeshtë dhe jetësore është nevoja e tij:Të hapë një shishe, të mbushë një gotë, ti japë ujë fëmijës dhe të mos ketë frikë.
Kur çezma mbyllet, qeverisja nuk duhet të prodhojë vetëm shpjegime.
Duhet të prodhojë siguri, besim dhe zgjidhje.



