Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha të premten se blloku duhet të jetë i përfshirë në çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke paralajmëruar se nuk do të zbatojë një marrëveshje të arritur pa pjesëmarrjen e tij, transmeton Anadolu.
E pyetur për rolin e Evropës në negociatat e paqes gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, Kallas tha se vendimet për sanksionet e BE-së dhe asetet e ngrira ruse janë në kompetencë të bllokut.
“Çdo marrëveshje ku ne nuk jemi palë, nuk do ta zbatojmë”, tha ajo.
“Nga garancitë e sigurisë, sanksionet, rindërtimi dhe anëtarësimi i Ukrainës në BE, nuk ka rrugë që e anashkalon Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.
Ajo tha se ka nisur një përpjekje e re diplomatike për t’i dhënë fund luftës dhe se ministrat kanë diskutuar mënyrat se si mund të kontribuojnë.
“Vërtet është duke u zhvilluar një përpjekje e re dhe intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë. Evropa vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ajo.
“Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, realiteti në terren është i zymtë”, theksoi kryediplomatja evropiane.
Kallas tha se të paktën 45 civilë janë vrarë nga sulmet ajrore ruse në Ukrainë këtë javë, duke paralajmëruar se vendi po përballet me një tjetër dimër të vështirë, ndërsa Moska po shënjestron infrastrukturën e tij energjetike.
“Moska po përpiqet ta ngrijë Ukrainën deri në dorëzim, por ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, tha ajo.
Ajo tha se BE-ja ka disbursuar këtë javë edhe 4,36 miliardë euro në kuadër të kredisë së saj për mbështetje, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së Ukrainës.
– BE-ja kundërshton lëshimet territoriale ndaj Rusisë
Kallas theksoi se Evropa ka interesat e veta të sigurisë dhe mbetet e përkushtuar fuqishëm për mbështetjen e Kievit.
“Ne nuk jemi ndërmjetës. Jemi vendosmërisht në anën e Ukrainës”, tha ajo.
Ajo hodhi poshtë njohjen ligjore të pretendimeve të Rusisë ndaj territoreve të pushtuara ukrainase dhe bëri thirrje për përgjegjësi për krimet e luftës, kompensim për shkatërrimet dhe kthimin e fëmijëve të dëbuar nga Ukraina.
Ajo shtoi se duhet të respektohen gjithashtu sovraniteti dhe pavarësia e Ukrainës, si dhe e drejta e saj për të zgjedhur aleancat.
“Me pak fjalë, lëshimet duhet të bëhen nga agresori, jo nga viktima”, deklaroi Kallas.
E pyetur për përfshirjen e Evropës në negociata, Kallas tha se vendimet për sanksionet e BE-së dhe asetet e ngrira ruse janë në kompetencë të bllokut.
“Çdo marrëveshje ku ne nuk jemi palë, nuk do ta zbatojmë”, tha ajo.
MARKETING
<!–



