Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzon kreun e SPAK, Klodian Braho se është bërë peng i lejeve të ndërtimit dhe interesave të biznesit të familjarëve të tij, duke favorizuar Belinda Ballukun.
Në një intervistë për “Albanian News Cast” me gazetarin Arbër Hitaj, kreu i grupit parlamentar demokrat përsëriti pretendimin se mes drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe kryeministrit Edi Rama ka pasur një marrëveshje për të mos kërkuar sërish heqjen e imunitetit të Ballukut.
Sipas tij, takimet janë zhvilluar në Valamar. Bardhi e quajti këtë marrëveshje të pretenduar “Aleanca e Valamarit”.
“Unë jam në dijeni të një marrëveshjeje të bërë mes tij dhe kryeministrit Edi Rama në raport me këtë çështje, që të mos kishte kërkesë të re për heqje imuniteti ndaj Belinda Ballukut. Kam folur për pikën e tij të kontaktit, pra me të cilin ka komunikuar dhe nuk është më sekret, është ministri i ri i Brendshëm”, tha Bardhi.
Ai e cilësoi hetimin ndaj Ballukut të cunguar, pasi SPAK nuk ka kontrolluar banesën dhe telefonin e saj, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe për mosmarrjen në pyetje të kryeministrit Rama lidhur me tenderat nën hetim.
Ai akuzoi SPAK për standarde të dyfishta, duke theksuar se Erion Veliaj ndodhet në burg me akuza më të lehta, ndërsa Balluku, sipas tij përballet me akuza më të rënda, por vijon të jetë e lirë.
“Belinda Balluku është zyrtari publik me akuzat më të rënda të ngritura nga Prokuroria e Posaçme. Pra, nuk ka asnjë të ngjashëm. Ju përmendët zotin Veliaj, për shembull, që është në burg. Akuzat ndaj tij janë më të lehta sesa akuzat që janë ndaj zonjës Balluku. Akuzat ndaj Ilir Metës janë 1/10 e akuzave që janë ndaj zonjës Balluku. Dhe është e paimagjinueshme që një zyrtar me akuzat e zonjës Balluku të jetë sot në liri dhe jo vetëm të jetë në liri, por të vijë dhe në Kuvend”, vijoi Bardhi.
Kreu i grupit të PD-së bëri edhe një denoncim të ri. Ai pretendon se di klinikën ku Balluku ka shpenzuar mijëra euro për ndërhyrje estetike, shpenzime që, sipas tijduhet të ishin verifikuar nga prokurorët.
“Një çështje po e them këtu për herë të parë, edhe pse kisha bërë ndërmend ta denoncoja në ditët në vijim. Unë personalisht di klinikën ku zonja Balluku ka bërë me mijëra euro shpenzime për estetikën e saj, pra për ndryshimin e pamjes. Kur të bie në sy ty si gazetar, unë mendoj që një prokurorie do duhet t’i bjerë në sy. Dhe ku e di unë klinikën ku zonja Balluku ka bërë mijëra euro shpenzime për ndryshimin e look-ut të saj, një prokuror duhet ta dijë”, vijoi Bardhi.
Bardhi tha se moskërkesa për heqjen e imunitetit synon ta lërë çështjen Balluku në harresë, ndërsa akuzoi kreun e SPAK se ka zhgënjyer besimin e qytetarëve te drejtësia e re.
Për përplasjen Rama–Veliaj, Bardhi tha se priret të besojë pretendimet e kryebashkiakut për kërcënime në burg nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në emër të kryeministrit. Ai kërkoi që çështja të hetohet nga drejtësia.
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



