(Shënime për vëllimin poetik “Të gjallë dhe të vdekur” të Ilirian Zhupës)
Nga Agim Baçi
Rrugët janë të pafundme. Fjalët janë të rëndësishme. Jeta është veç një…. Ne na mbetet veçse t’i japim kuptim, t’i japim shpirt të përditshmes sonë, për kohën që na është falur mes të gjallëve dhe të vdekurve…. Ilirian Zhupa ka mundur të mbetet “rob” i poezisë, duke gatuar vetveten “me këmbët mbi tokë”. Kërkon të kthehet në një urë për njeriun, që të ndiejë të qenit i gjallë, që ta shohë vdekjen pa pikëllimin e fundmë, sepse fundi mund të jetë shumë më parë se sa mbyllim qepallat – është atëherë kur shpirti ka fluturuar e ne nxitojmë veçse pas sendeve.
Çfarë mund të na ngrejë pas një rrëzimi? Mund të na e japë dorën e shkuara jonë? Mundet që ëndërrimi të na bëjë me krahë dhe të rifillojmë të ecim si më parë, apo edhe më shpejt? –Mundet që të gjitha këto së bashku, por jo pa arritur të rindërtojmë imazhin e asaj që na bën të ndihemi të denjë për ata që duam dhe që na duan, në një vend ku jeta ka kuptim. Dhe Zhupa ka një adresë poetike: Gjetjen e Dashurisë!
“Po duart e tua, e dashura ime,
Rrjedhin brigjeve e lugjeve të fytyrës sime
Si shirat e vjeshtës përzënë nga era..”(Ilirian Zhupa, vargje nga poezia “Ëndërr në duart e tua”, pjesë e vëllimit “Të gjallë dhe të vdekur”, f. 17)
Poeti nuk kërkon të shmangë të shkruarën brenda nesh të atyre që kanë jetuar e nuk janë më. Nuk mundet as të mbyllë sytë përpara regëtimeve të së tashmes që i kërkojnë të shquajë dritën ngado që ajo të vijë. Zhupa thërret në apelin e njeriut “të shkuarit” dhe “të tashmit” si dy kohë që vallëzojnë me njëra-tjetrën, e që mbështillen nga qielli, të cilin poeti thotë se ka dashur ta njohë “Në moshën kur isha si një letër e bardhë” (f. 139).
Është një vëllim poetik ku kërkohet të shihet nga drita, me vargje ku duket sikur ka dhjetëra dritare nga ku ftohesh të shohësh e të shohësh. Janë dritare që ndonjëherë ngjajnë si pasqyrë e ndonjëherë janë lehtësisht të tejdukshëm. Janë brenda dhe jashtë nesh, me një ritëm që krijon intimitet dhe imagjinatë.
“DIMËR PËR DIMËR E VJESHTË PËR VJESHTË
Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë
Të kam kërkuar dhe më ke ikur.
Sa herë të gjeja, s’di pse kam heshtur,
Sa herë më ikje, s’di pse kam thirrur.
Fytyrë ti s’kishe, as emër, as sy,
Hapin ta ndieja, por s’lije gjurmë,
Më shfaqeshe befas, vrapoja te ti
Dhe gjeja dritëhijen e pemëve në muzg
Në shtegun e natës, në agun e ditës,
Fytyrën tënde prej avujsh dhe ere
E gjeja në mijëra fytyra që prisnin,
E prapë ty s’të gjeja.
Ç’ishte ky trill, kjo lojë, kjo fshehje,
Ditë pas dite e stinë pas stine?
Përplaseshim rrugës dhe prapë e paprekshme,
Humbje hapësirave dhe prapë intime.
Si duket, fëmijë kemi qenë pa e ditur,
Mister kemi bërë një gjë kaq të thjeshtë,
Ke ardhur – kam heshtur, ke ikur – kam thirrur,
Dimër për dimër e vjeshtë për vjeshtë.” (Ilirian Zhupa, pjesë e vëllimit poetik “Të gjallë dhe të vdekur”, f. 117)
Autori nuk ka nguruar as të pikturojë “kalimtarin e rastësishëm”, që nis të ecë me shumë, e jo pak herë përfundon një, e që ndonjëherë nis të jetë dikush e përfundon veçse një shenjë, pa emër, por veçse “plagë gjaku”. Si një thirrje, për të parë nga vetja, për të medituar se me cilët ecim e për çfarë ia vlen të jemi një emër, të shënojmë diku se ç’mundëm të bënim – sepse jemi thjesht pjesë e anijes ku zbresin disa, e të tjerë hipin, në një rrugëtim që s’e përcaktojmë dot as fillimin e as fundin.
….Në hyrje të vëllimit, Zhupa na fton ta kapërcejmë “Urën”, që është një urë poetike e së shkuarës, të cilën poeti ka arritur ta kapërcejë përmes kohës, duke na dhënë një botë gjithë dashuri mes Kombit dhe Qiellit.