Ndoshta duket se studentët shqiptarë protestojnë vetëm për veten, por në fakt protestojnë për të gjithë ne. Për një shtet që respekton Kushtetutën dhe qytetarët e tij. Në antikitet kjo ishte demokracia në Athinë; sot është integrimi evropian. Kemi qenë pjesë e historisë – tani është koha të jemi pjesë e së tashmes si një shtet funksional dhe evropian
Nga Nikica KORUBIN
Retorika, pra aftësia e “të folurit të mirë”, është themel i arsimit që nga antikiteti dhe Athina e lashtë. Kjo e vendos “gjuhën” dhe “shkrimin”, pra shkrim-leximin, në piedestalin e vetë aftësive që duhet t’i zotërojë një “qytetar” i mirë, në mënyrë që të mund të qeveriset shteti, por edhe të zhvillohet shoqëria. Dhe kjo është baza e qytetërimit në tërësi, por veçanërisht e asaj që e quajmë “themeli i kulturës perëndimore”.
Por, e gjithë kjo nënkupton njohje dhe përdorim të shkëlqyer të gjuhës amtare. Jo çfarëdo dhe jo në mënyrë të gabuar. Pikërisht këtu shihet respekti dhe kuptimi thelbësor i gjuhës si trashëgimi, e jo si instrument. Në një shtet modern, kjo do të thoshte njohje dhe përdorim i mirë i “gjuhës letrare”, si në nivel institucional, ashtu edhe individual. Dhe nëse “niveli individual” është rezultat i një procesi të mirë arsimor, ndikimit familjar dhe përmirësimit personal, “niveli institucional” është detyrim i shtetit.
Për zbatimin e Kushtetutës dhe mundësimin e përdorimit të duhur të gjuhës letrare maqedonase dhe shqipe, si gjuhë zyrtare në shtet. Kushtetuta, në nenin 7, thotë: “Në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Një gjuhë tjetër që e flasin të paktën 20% e qytetarëve është gjithashtu gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç përcaktohet me këtë nen”.
Ndërsa Ligji për Përdorimin e Gjuhëve thotë: “Në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. (2) Një gjuhë tjetër që e flasin të paktën 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në përputhje me këtë ligj”.
Dhe këtu fillon dhe përfundon historia për çdo manipulim (të papërgjegjshëm), jo vetëm me një nga të drejtat themelore kushtetuese – përdorimin e gjuhës, por edhe me një nga përcaktuesit themelorë të qytetërimit – “shkrim-leximin”, që e bën “qytetërimin të jetë qytetërim”. Në histori dhe arkeologji ekziston një rregull “i pashkruar” për datimin dhe përcaktimin e zhvillimit të kulturave dhe etnogjenezës, si dhe për përcaktimin e shkallës së “qytetërimit” të një populli, vendi apo rajoni – dhe ai është: përdorimi i shkrimit dhe prania në burimet e shkruara historike. Aq e madhe është rëndësia e gjuhës dhe e shkrimit (alfabetit).
Prandaj është thellësisht e gabuar, tendencioze dhe “primitive” shkelja e Kushtetutës dhe mohimi i një prej gjuhëve zyrtare në Maqedoninë e Veriut – gjuhës shqipe. Qoftë përmes narrativës propagandistike, me qëllime politike, në frymë albanofobe apo si dështim institucional për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit. Edhe në rastin aktual të të drejtës për dhënien e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe; por edhe në përdorimin e përgjithshëm të shqipes si gjuhë e dytë zyrtare në shtet (përveç marrëdhënieve ndërkombëtare), krahas maqedonishtes.
Veçanërisht kur bëhet fjalë për manipulime “të buta dhe perfide” si: “provimi juridik është provim profesional”, “gjuha shqipe është gjuhë e përkthyer” apo se përdorimi i saj “do ta bllokojë sistemin gjyqësor”. Pra “profesionalizmi dhe funksionaliteti” qenkan ekskluzivisht në gjuhën maqedonase, e cila duhet “t’u përkthehet” shqiptarëve që “këmbëngulin” të përdorin gjuhën e tyre?
Kjo do të na çonte në përfundimin absurd se “maqedonishtja e përdorur gabim është më e mirë se shqipja e përdorur drejt”. Ndërkohë që bëhet fjalë për përdorim paralel të dy gjuhëve zyrtare në format e tyre standarde, të cilat mbulojnë çdo fushë profesionale (gjyqësore, shëndetësore, financiare, arsimore, politike). Kur Komisioni i Venecias në vitin 2019 thotë se mungesa e përkthimit dhe interpretimit mund të ngadalësojë sistemin gjyqësor, ai në fakt i referohet dështimit të shtetit për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, e jo përdorimit të gjuhës si e drejtë kushtetuese.
Kushtetuta u ndryshua në vitin 2001, kur shqipja u bë gjuhë zyrtare; operacionalizimi i parë erdhi në vitin 2008; ndërsa ligji përfundimtar në vitin 2019. Pra, për 25 vite, shteti nuk ka krijuar kushtet për zbatimin e plotë të saj.
Kjo është dëshmi e “arbitraritetit”, jo e “vullnetit politik”, dhe një shembull i mosrespektimit dhe keqpërdorimit të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo situatë i prek të gjithë qytetarët – shqiptarë dhe maqedonas. Ndërsa respektimi i plotë i Kushtetutës i mbron të gjithë.
Dhe ndoshta duket se studentët shqiptarë protestojnë vetëm për veten, por në fakt protestojnë për të gjithë ne. Për një shtet që respekton Kushtetutën dhe qytetarët e tij. Në antikitet kjo ishte demokracia në Athinë; sot është integrimi evropian. Kemi qenë pjesë e historisë – tani është koha të jemi pjesë e së tashmes si një shtet funksional dhe evropian.
(Përktheu dhe përgatiti www.koha.mk)


