Mefo Ismaili
Derisa VLEN po FLEN mbi pendlat e pushtetit, e krerët e saj mundohen ta shfrytëzojnë atë vetëm me të DASHURIT e tyre. Sipas informatave që qarkullojnë në opinion, disa nga funksionarët e BDI-së dhe opozitës, e cila po ashtu është një opozitë tërësisht e ALIVANOSUR, përpiqen t’i shfrytëzojnë studentët si mish për top gjatë organizimit të protestës së radhës për mbajtjen e Provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Që të jemi të sinqertë, aspak nuk ka dyshim se e gjithë kjo situatë rrjedh nga paaftësia e VLEN-it karshi një ministri të ZNAM-it, siç është ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov!
E kur VLEN nuk mund t’i bëjë ballë një Fillkovi, përpiqet që dështimet e saj t’i maskojë me marrjen në Qeveri të një strukture tjetër të dështuar politike, siç është grupacioni i Ziadin Selës.
E derisa VLEN e sheh Ziadin Selën si shpëtim për çdo dështim që pëson, Sela e sheh VLEN-in si gomën e fundit që do ta shpëtonte nga mbytja politike përfundimtare.
Por studentët mbetën në dorën e BDI-së, e cila në shtabet e saj mban takime për të organizuar dalje sa më të madhe të të rinjve dhe simpatizantëve partiakë në protestën e studentëve, që protesta të jetë, siç thuhet, “e ashpër”!
Kjo lë shumë për të dyshuar se BDI mund ta ketë marrë tërësisht nën kontroll organizimin e protestës. Megjithatë, t’ia lëmë kohës të flasë më mirë!
E kuptoj arsyen pse disa nga funksionarët e BDI-së veprojnë në këtë mënyrë dhe i keqpërdorin studentët. Sepse ata nuk mund të bëjnë opozitarizëm me fakte, me punë apo me ide për mbrojtjen e shqiptarëve ose zhvillimin e shtetit, pasi disa prej tyre, gjatë 20 viteve në pushtet, nuk kanë pasur asnjë ide për të punuar. Madje, ndoshta edhe ruhen, duke punuar fshehurazi në krijimin e kaosit, që të mos mbajnë përgjegjësi për veprat që mund të kenë bërë.
Në këtë mënyrë ata e ruajnë veten dhe i keqpërdorin studentët!
Ndoshta sepse, kur e kanë kuptuar se kurrë më nuk do të jenë pjesë e kombinimeve për të marrë pozita në qeverisjet e ardhshme eventuale të BDI-së, përpiqen të shkaktojnë kaos duke i keqpërdorur studentët, por edhe për ta shkatërruar tërësisht vetë BDI-në.
Njëjtë si ajo thënia popullore: “Për inat të nuses, më vdektë djali!”
Kjo bëhet duke i motivuar studentët madje edhe përmes programeve mediatike në Shqipëri, të cilat, për fat të keq, kurrë nuk kanë pasur kontakt me realitetin dhe gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në të shumtën e rasteve, ata i trajtojnë shqiptarët ashtu siç u servohet nga agjenda të caktuara propagandistike. E të mos flasim për disa politikanë të Shqipërisë, të cilët, siç u fol në media kohë më parë, na shohin si “idiotë”!
Kështu që unë i kuptoj disa nga BDI-ja, por nuk e kuptoj VLEN-in! Si është kaq e paaftë të komunikojë me studentët dhe tu ofroj zgjidhje?
Këtu lind pyetja: A thua vallë nuk u intereson asgjë?!
VLEN mund të vazhdojë të FLEJË në luksin e pushtetit, BDI mund të mos marrë infuzione për t’u KTHJELLUR vetë dhe t’i shfrytëzojë studentët për të arritur qëllimet e saj, por studentët duhet të kenë kujdes të mos lejojnë të bien pre e shtabeve partiake dhe politikanëve që për tre dekada nuk arritën ta plotësojnë as edhe një kërkesë të tyre.
Për në fund, një porosi për studentët, shtyllën e kombit dhe shoqërisë sonë:
Veproni ashtu siç mendoni, por vetëm si STUDENTË. Mos lejoni t’ju njollosë POLITIKA!


