Ivon Veliçkovski
Nëse LSDM-ja nuk e mbështet iniciativën për amendamentet kushtetuese, ka ende opsione të tjera: Njëra është që t’i dorëzojë Siljanovska-Davkova. Nëse edhe ajo nuk guxon t’i kundërvihet Mickoskit, siç nuk guxon as Filipçe, atëherë le t’i propozojmë 150.000 qytetarë me nënshkrime. Që të dyja janë në dispozicion sipas nenit 130 të Kushtetutës.
Presidentja mund t’i propozojë amendamentet që Maqedonia e Veriut të kthehet në “tren” bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ky është opsioni më i shpejtë dhe më i lehtë.
Kështu, me iniciativë institucionale, ajo do t’i dalë në ndihmë thirrjes së kryeministrit për “unitet kombëtar” për agjendën evropiane (e përsëritur edhe nga ministri Mucunski).
Si kandidate e VMRO-DPMNE-së, e votuar edhe nga VLEN, ZNAM, Levica dhe një pjesë e LSDM-së në vitin 2024, ajo mund të jetë “personifikim” i unitetit kombëtar të Mickoskit. Për votat e BDI-së për një iniciativë të tillë në Kuvend, duket qartë se mund të llogarisë.
Në fund të fundit, ajo bëri një hyrje këtë javë – me mbrojtjen e Marrëveshjes së Prespës (edhe pse e kishte refuzuar si deputete, si kandidate për presidente dhe si presidente deri këtë javë).
Pas shokut fillestar, me deklaratën e saj tregoi se edhe VMRO-DPMNE e di atë që ne e pohojmë që nga viti 2022:
– populli maqedonas dhe kombi i Maqedonisë së Veriut nuk kanë problem me marrëveshjet,
– problematizimi i marrëveshjeve vinte vetëm nga qendrat dhe “lipicanerët” e intelektualëve jugomakedonistë në dhe rreth (politikës së) LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Që të bëhet më e qartë sa shumë është “djegur” puna, le të lidhim faktin se disa ministra tashmë po distancohen nga Mickoski duke shpjeguar nëpër media se VMRO-DPMNE “kurrë nuk ka qenë kundër Prespës”.
Dhe që të “vuloset” gjithçka – mesazhi se duhet të jemi pjesë e Evropës i është dërguar Mickoskit edhe nga Branko Azeski. Azeski këtë e bëri “spontanisht” dhe përmes mediave.
Mbetet vetëm t’i thuhet Mickoskit se:
– kombi i Maqedonisë së Veriut nuk është as monoetnik dhe as monogjuhësor dhe se
– nuk guxon t’i përshkallëzojë tensionet ndëretnike që VMRO-DPMNE dhe Mickoski po i ndërtojnë me:
A) barriera administrative ndaj gjuhës shqipe,
B) rrënimin e përfaqësimit të drejtë dhe
C) shkatërrimin e përfaqësimit të shqiptarëve për një mospërfaqësim të mëtejshëm edhe të maqedonasve, si para dhe pas vitit 1991.
Përballja me realitetin po shkon më vështirë sepse që nga “Propozimi francez” ata po hartonin plan se si, përmes modelit “monoetnik” të qeverisjes në politikë, ekonomi dhe financa, t’i përjashtojnë të gjithë maqedonasit dhe shqiptarët jashtë rrethit të tyre të “Dhjetë familjeve”.
Dhe, natyrisht, duke e ditur se Siljanovska-Davkova nuk guxon të “lëvizë” jashtë katrorit jugomakedonist Komora/ASHAM/LSDM/VMRO-DPMNE, të përgatitemi për unitet të vërtetë kombëtar.
Të përgatitemi për 150.000 nënshkrime. Pastaj le t’i shohim si do t’i kundërvihen gjysmës së elektoratit të tyre të përgjithshëm.


