Rreth 780 mijë protestues pritet t’u bashkohen sot protestave në mbarë Francën, kundër kostos së lartë të jetesës ndërsa autoritetet angazhuan 70 mijë oficerë policie dhe xhandarë, raportuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Një grup i përbashkët sindikal parashikoi pjesëmarrjen e 500 mijë deri në 700 mijë të demonstruesve jashtë Parisit dhe 40 mijë deri në 80 mijë të tjerëve në kryeqytet, sipas transmetuesit francez BFMTV.
Punëtorët, nëpunësit civilë, pensionistët dhe lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” pritet t’u bashkohen nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitarë për të kërkuar paga më të larta dhe masa për të përmirësuar fuqinë blerëse.
Lëvizja e protestës studentore filloi në mesin e muajit shtator. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez tha të mërkurën se masat e sigurisë do të jenë “krejtësisht të njëjta” me ato të zbatuara gjatë demonstratave të 31 tetorit.
Autoritetet mobilizuan 26 automjete të blinduara, rreth 15 automjete ujëhedhëse, helikopterë dhe dronë së bashku me njësitë speciale të policisë BRI, RAID dhe GIGN. Nunez tha se ky angazhim synon të sigurojë “rrugët më të sigurta të mundshme”, duke shmangur vendet e ndjeshme, veçanërisht qendrat e qyteteve.
Në Paris, një gjykatë administrative miratoi itinerarin e propozuar nga prefektura e policisë për demonstratën nga “Place de la Republique” (Sheshi i Republikës) deri te “Place de la Nation” (Sheshi i Kombit), pasi organizatorët e kishin kundërshtuar atë.
Sindikatat dhe organizatat studentore fillimisht kishin propozuar një marshim nga “Place de la Bastille” (Sheshi i Bastijës) deri te “Place de la Concorde” (Sheshi i Konkordit), pranë Asamblesë Kombëtare. Policia e ndaloi itinerarin e propozuar, duke përmendur tensionet e larta sociale dhe trazirat që ndodhën në kryeqytet më 17 tetor.
Gjithashtu, greva pritet të shkaktojë ndërprerje në shërbimet e transportit në të gjithë vendin. Operatori kombëtar hekurudhor SNCF paralajmëroi për ndërprerje, nga të moderuara deri te ato të rënda, në shërbimet rajonale si dhe ndërprerje në disa linja periferike rreth Parisit.
Shërbimet në distanca të gjata pritet të preken më pak, me një në çdo 10 trena të shpejtësisë së lartë (TGV) të anuluar.
MARKETING
<!–



