Gjoba deri në 6.000 euro për kompanitë e mëdha dhe kontrolle më të rrepta për pronarët e kafshëve. Këto janë disa nga risitë që parasheh Projektligji i ri për Shëndetin e Kafshëve, me të cilin synohet parandalimi dhe kontrolli më efikas i sëmundjeve ngjitëse.
Me rregullat e reja, regjistrimi dhe identifikimi i kafshëve do të jenë të detyrueshme, ndërsa do të evidentohet edhe prejardhja, lindja, ngordhja dhe çdo zhvendosje e tyre. Të dhënat do të ruhen në një bazë elektronike, përmes së cilës institucionet do të mund ta ndjekin lëvizjen e kafshëve.
Gjithashtu, objektet ku mbahen kafshët do të duhet të regjistrohen dhe të marrin miratim, ndërsa për zhvendosjen e tyre do të kërkohet dokumentacion përkatës dhe, në raste të caktuara, certifikatë shëndetësore.
Detyrime shtesë do të kenë edhe mbarështuesit dhe operatorët, të cilët do të duhet të zbatojnë masa të biosigurisë për parandalimin e përhapjes së infeksioneve.
Për shkeljet e parashikuara, gjobat për subjektet mikro do të jenë nga 300 deri në 600 euro, për të voglat deri në 1.000 euro, ndërsa për kompanitë e mëdha nga 3.000 deri në 6.000 euro. Për personat fizikë parashihet gjobë prej 200 eurosh.
Sanksione do të ketë për mosraportimin e sëmundjeve, mungesën e evidencës, mosidentifikimin e kafshëve dhe zhvendosjen e tyre pa dokumentacionin e nevojshëm. Megjithatë, të gjobiturit do të kenë tetë ditë afat për pagesën e gjysmës së gjobës. Në të kundërtën, do të pasojë procedurë kundërvajtëse.
Projektligji është harmonizuar me rregullativën evropiane, ndërsa për zbatimin e tij do të jetë përgjegjëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. /SHENJA/3



