NË DEMOKRACI LIGJI QËNDRON MBI TË GJITHË
NË KOSOVË DIKATATI POLITIK SOLLI DIKTATURËN POLICORE
Dje, në orët e pasdites, mediet i shkruan një hapësirë të konsiderueshme deklaratës së Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Ruari O’Connell. Sipas medieve z. O’Connel kishte deklaruar se “Në shtetet demokratike, deputetët që shkelin ligjin, paraqiten vet në polici”.
Me ketë konstatim të tij pajtohem plotësisht, pasi kështu do të duhej të ndodhte në një shtet normal demokratik. Madje edhe në një shtet jo demokratik siç është ky i yni, deputetët do të duhej të shkonin në Prokurori edhe kur ajo është e kapur nga politika e nëntokës dhe qëllim e ka mbytjen e zërave opozitarë. Kur pohoj një gjë të tillë nuk e bëj vetëm pse konteksti aktual kërkon të marr një pozicion lidhur me këtë çështje. Unë e kam dëshmuar në praktikë pohimin e lartpërmendur. Në kohën kur isha Kryetar i Kuvendit u ftova në Prokurori të EULEXIT. Edhe pse ftesa mbështetej në shpifje të kulluar unë u lajmërova pa hezituar.
Është interesant të përmend për lexuesin se në atë rast, në Prokurorinë e EULEXIT, më premtuan se do të merrja përgjigje brenda një afati dhjetëditësh, ata edhe pse e mbyllen rastin, nuk dhanë ndonjë përgjigje. Ndërhyrjet politike këto ditë i konfirmoi edhe ish-prokurorja e EULEXIT, zonja Maria Bamieh dhe ky fenomen duhet t’i shqetësojë të gjitha ata që janë të interesuar që kjo pjesë e Evropës të funksionojë mbi bazën e së drejtës. Aq më tepër përfaqësuesit e shteteve që kanë një përvojë të ndarjes së pushteteve.
Pra, jo vetëm me shembullin se si kam vepruar vet në situatë kur jam ftuar nga institucionet që janë të thirrura të ndajnë drejtësi por edhe sikur të mos isha ballafaquar me një situatë të tillë unë mbështes tërësisht parimin se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Ky parim duhet të respektohet nga të gjithë dhe sidomos nga ata që kanë për obligim t’i përfaqësojnë qytetarë. Një gjë e tillë duhet të vlente edhe për Kosovën. Por, problemi qëndron në atë se Kosova nuk është shtet demokratik ku ligji të qëndrojë mbi të gjithë. Në Kosovë institucionet e drejtësisë janë në duart e atyre të cilët të parët duhet të ballafaqohen me drejtësinë.
Unë i besoj sinqeritetit të Ambasadorit O’Connell-i kur ai pohon se në Mbretërinë e Bashkuar do të ndodhte ashtu si thotë ai. Madje një gjë e tillë vlen jo vetëm për vetëm për deputetët e dhomës së përfaqësuesve por edhe për qeveritarët e zyrtarët e tjerë të shtetit. Nuk ma merr mendja se z. O’Connell mund të imagjinojë një situatë aq paradoksale në vendin e vet ku qeveria bën marrëveshje për të humbur sovranitetin e brendshëm ndaj territoreve të komunave të caktuara apo t’i cenohet integriteti i saj territorial duke i falë mijëra hektarë shtetit fqinj! Kam bindjen e plotë se për Ambasadorin O’Connell dhe për të gjithë përfaqësuesit tjerë të shteteve demokratike ku askush nuk qëndron mbi ligjin situatat e tilla janë të paimagjinueshme. Ajo që ata mund të imagjinojnë është fakti se në shtetet e tyre nuk mund të suspendohet opozita me diktate politike sepse aty do të kishte vdekur demokracia dhe do të kishte ngadhënjyer diktatura.
Ajo që përfaqësuesit e shteteve demokratike nuk mund ta imagjinojnë, në Kosovë është realitet. Kapja e shtetit nga një grup i interesave të caktuara shndërroi Kosovën në Diktaturë Policore.