Komisioni Evropian ka propozuar zgjerimin e mandatit të agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian (BE), Frontex, për t’u mundësuar mbështetjen vendeve të treta në kthimin e emigrantëve nga territoret e tyre drejt vendeve të tjera, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar politikën e menaxhimit të migracionit të bllokut, transmeton Anadolu.
Sipas propozimit, Frontex do të mund të ofrojë ndihmë teknike dhe operacionale për vendet e treta, si dhe të ndihmojë në organizimin dhe realizimin e operacioneve të kthimit të emigrantëve nga një vend jashtë BE-së në një tjetër.
Sipas Komisionit Evropian, mandati i ri do t’i nënshtrohej një marrëveshjeje me vendin e tretë përkatës dhe do të duhej të ishte në përputhje me të drejtat themelore dhe standardet ndërkombëtare.
“Natyrisht, objektivi kryesor i Frontex-it do të vazhdojë të jetë rritja e numrit të kthimeve nga shtetet anëtare, por ne po i japim gjithashtu Frontex-it mundësinë për të mbështetur vendet e treta në proceset e kthimit”, tha komisioneri evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, gjatë prezantimit të propozimeve në Bruksel.
“Kjo do të jetë e mundur vetëm nëse ekziston një marrëveshje ndërkombëtare dhe kur kjo është në interes të BE-së”, shtoi ai.
Komisioni Evropian tha se ndryshimet e propozuara do t’i jepnin Frontex-it një rol më aktiv në koordinimin e kthimeve, duke mbuluar të gjithë procesin, nga planifikimi strategjik dhe identifikimi i migrantëve deri te operacionet e kthimit dhe ndihma për ri-integrimin e tyre.
Propozimi parashikon gjithashtu krijimin e një “Qendre për Koordinimin e Kthimeve” brenda Frontex-it, e cila do të mbledhë dhe analizojë informacione operacionale dhe do të përmirësojë koordinimin ndërmjet shteteve anëtare të BE-së.
Komisioni propozoi gjithashtu rritjen graduale të trupës së përhershme të Frontex-it në 30.000 oficerë, përmes krijimit të një rezerve të re evropiane për kufijtë dhe kthimet, e cila do të përbëhej nga 17.000 oficerë dhe do të mund të angazhohej për të mbështetur shtetet anëtare sipas nevojës.
Propozimi përfshin edhe krijimin e një force për reagim të shpejtë, e cila mund të dislokohet me shpejtësi në kufijtë e jashtëm të BE-së, për t’i ndihmuar shtetet anëtare të përballen me situatat emergjente dhe rritjen e papritur të flukseve migratore.
Krahas reformës së Frontex-it, Komisioni Evropian propozoi një rregullore të veçantë për digjitalizimin e procedurave të kthimit, ripranimit dhe ri-integrimit në të gjithë BE-në.
Propozimet tani do t’i paraqiten Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për shqyrtim.
MARKETING
<!–


