Universiteti i Tetovës dhe Instituti për Standardizim i Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar Memorandum bashkëpunimi, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e aktiviteteve arsimore, shkencore-kërkimore dhe profesionale.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe drejtori i Institutit për Standardizim, Gazmend Aliu.
Në takimin e zhvilluar me këtë rast, rektori Ahmeti shoqërohej nga prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, si dhe dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri.
Në përbërjen e delegacionit të Institutit për Standardizim ishin edhe Dr. Sonja Cerepnalkovska, Vilijam Hristovski, Goran Pletvarski, Maja Koliç dhe Faton Mustafi.
Marrëveshja synon të forcojë lidhjet ndërmjet komunitetit akademik dhe institucioneve profesionale, duke nxitur shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe ekspertizës në fushën e standardizimit, menaxhimit të cilësisë, inovacionit, si dhe zbatimit të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashikohet realizimi i projekteve të përbashkëta shkencore-kërkimore, organizimi i konferencave, ligjëratave, seminareve dhe trajnimeve profesionale, si dhe përfshirja e ekspertëve të Institutit në veprimtari të ndryshme akademike të Universitetit të Tetovës.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe krijimit të mundësive për praktikë studentore. Përmes këtyre angazhimeve, studentët do të kenë mundësi të njihen më nga afër me proceset e standardizimit dhe zbatimin praktik të standardeve, duke zhvilluar më tej kompetencat profesionale dhe duke u përgatitur për kërkesat e tregut të punës.
Nënshkrimi i këtij memorandumi përbën një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe institucioneve profesionale, me fokus në shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta dhe avancimin e aftësive praktike të studentëve.



