Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka pritur sot në takim homologen e tij nga Kosova, Albulena Haxhiu, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në vend. Kryetari Gashi gjatë takimit theksoi se, dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht të begatë, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në këtë drejtim, është e rëndësishme të vazhdohet me dialogun dhe koordinimin e hapur për çështjet me rëndësi rajonale.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u angazhua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv midis parlamenteve të dy vendeve dhe theksoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një vend të huaj si kryetare e Kuvendit, që është konfirmim i fortë i rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve mike.
Në takim u diskutua edhe për procesin e integrimit evropian, ku bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të synojë krijimin e kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave.
Ndërkaq, në kuadër të vizitës së saj në Shkup, Haxhiu u prit edhe nga presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova dhe kryeminsitrin, Hristijan Mickoski.
Siljanovska-Davkova në një postim në rrjete sociale pas takimit me Haxhiun, tha se, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi më i fortë rajonal dhe nismat si Procesi Bërdo-Brioni ndihmojnë në forcimin e pozitës së Ballkanit Perëndimor si një partner i besueshëm i BE-së dhe në avancimin e perspektivës së tij evropiane”.
Ndërkaq, Mickoski theksoi se, përmes dialogut të hapur, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të shtuar rajonal mund të kontribuojmë në stabilitet më të madh, zhvillim ekonomik dhe integrim më të shpejtë evropian të rajonit.
Teuta Buçi /SHENJA/



