Nga Sefer Tahiri/
Tërheqja megjithatë doli të jetë taktike! I ngjan BDI-së për shkak të bekgraundit historik që ka. Vetes i thotë parti e luftës.
Emrat e rinj, pa përvojë politike dhe administrative- ekzekutive, shumica profesorë me përvojë mesatare në mësimdhënie te USHT-ja. Por ky do të jetë ekipi i ri me të cilin do të luajë BDI-ja në të ardhmen, sepse do të ishte shumë “infantile” që këto emra të luajnë vallen qeveritare vetëm dy muaj. Nuk do të ketë logjikë që pas zgjedhjeve të kthehen “të vjetërit”. Ministrat e përjetshëm. Njësoj do të jetë edhe me deputetët!
Cilido ekip, pra edhe ky i riu është më i mirë se sa ekipi i ministrave, disa prej të cilëve (pra jo të gjithë) që në jetën e tyre përveç ministrëllëkut shterp gjë tjetër skanë bërë.
Por shtrohet pyetja sa premton rezultat ekipi i ri! Një mik im i çmuar ka shkruar moti “Vonë për gjëra….”
Unë them “Vonë për reforma të mëdha partiake” !
Tek disa emra identifikohet edhe se cilat klane brenda degëve kanë forcë më të madhe aktualisht në BDI.
E gjithë kjo do të thotë se opozita duhet të moblizohet tejmase, të ofrojë projekte, alternativa në favor të shqiptarëve nëse dëshiron rezultat të kënaqshëm në zgjedhje. Nuk flas dhe nuk apeloj më për unifikimin sepse siç po shihet ai është larg, nuk duket në horizontin politik. BESA nuk shkon me LR-PDSH-në, LR-PDSH-ja nuk shkon me RDK-ne e Fadil Zendelit, RDK-ja e Vesel Memedit i mbetet besnike deri në vdekje Ziadin Selës, UNITETI është më afër koalicionit me BESË-n, por ka qëndrim parimor që koalicioni opozitar të jetë gjithpërfshirës, por nuk ka formulë si të arrihet kjo. Njësoj si edhe RDK-ja e Fadil Zendelit, por Sela në stilin “Shife oborrin tënd, pastaj dil te komshiu” ka pasur qëndrim korrekt kur tha se “RDK-ja të tejkalojë mosmarrëveshjet”. Pas gjithë kësaj që thashë a do të ketë koalicion unifikues opozitar? Përgjigjen e dini tashmë.
Pra them që koalicioni është i mundshëm sa edhe koalicioni BDI-PDSH! Apo i dyti ka më shumë gjasa, ndonëse mendoj se ato janë më pak se minimale, pra vetëm 5 %.
E gjithë kjo jo për tjetër por BDI-së nuk i bëhet vonë nëse vazhdojmë të shkruajmë refrenin e njohur “Hyn e dil….” Vazhdimin e dini më, ka të bëjë diçka me Isuf Qamilin! Ai mund të shkojë në qeveri, njësoj si edhe në diskotekë!
Gjithë reagimet pastaj do jenë në stilin “E lagu dhelpra, se lagu dhelpra”. Bishtin!
Jo më në bisht të pushtetit.
P:S Nuk mendoj që emrat e rinj shpien drejt faktit që Ali Ahmetit mund t’i hahet koka.