Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e ndodhur mbrëmjen e sotme, 23 shtator, në rrugën “Marko Boçari”, pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të një lokali, ku dyshohet se autori dhe i plagosuri janë përleshur me njëri-tjetrin.
I plagosuri është 49-vjeçari Kreshnik Cara, i cili ka marrë disa goditje me mjet prerës në bark dhe ndodhet në spital, në gjendje të rëndë, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, edhe autori i dyshuar, 50-vjeçari Toni Nake, ka mbetur i dëmtuar gjatë përleshjes dhe po dërgohet gjithashtu në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pas arrestimit.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Grupi hetimor po vijon punën për të zbardhur rrethanat e konfliktit, si edhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë pranë vendngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me mjet prerës 49-vjeçarin, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marko Boçari” ishte dëmtuar me mjet prerës shtetasi K. C., 49 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore e operacionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi T. N., 50 vjeç.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 50-vjeçari ka plagosur me mjet prerës 49-vjeçarin, pas një konflikti për motive të dobëta.
I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
The post Plagosja me thikë te Petro Nini, reagon policia appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


