Nga: Mentor Kikia
Në media “rodhën” sot disa komunikime mes ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit të arrestuar, Ergys Agasi. Bisedat, të shoqëruara me “shpirt” dhe “zemër”, mbushën portalet dhe rrjetin, edhe pse nuk tregojnë asgjë me rëndësi, veç marrëdhënies shumë të afërt mes tyre. Por, nuk “rrodhi” asnjë informacion se çfarë konkretisht i ka dorëzuar Hyseni – Agasit, apo policia Agasit.
Duket se ka një përpjekje për ta shndërruar skandalin në një lloj “show” të tipit “Përputhen”, pasi publiku po “karikohet” edhe me kuriozitetin e dhjetra videove dhe fotove që janë gjetur në telefonin e Agasit. Dhe nuk është çudi që të hidhet ndonjë sekuencë në vazhdim, për englendisje publike. Po tentohet që ngrihet një histori, që “Vlora i dorëzonte informacione sekrete Ergysit, meqë e kishte të dashur”.
Jo, nuk është kështu!
Po ish zyrtarët e policisë, për çfarë arsyeje ofronin informacion dhe mbështetje? Po shefi i Laboratorit të Policisë Shkencore, për çfarë i ofronte informacionet sekrete të ekspertimit të provave të krimit? Eshtë në burg dhe ka të njëjtën akuzë si Vlora, edhe ai.
Ajo që përbën skandalin shtetëror dhe që i intereson publikut, janë pyetjet:
1-Çfarë informacionesh i dorëzonte dhe përse ia dorëzonte ato Vlora Hyseni – Ergys Agasit? Unë nuk besoj se informacionet sekrete ishin bisedat e tipit: ”Nesër do të iki tek KM”; “Shpirt, kam hallin tënd”, apo; “Zemër, do e hamë keq të dy”.
2-Çfarë informacionesh ofronin strukturat e policisë?
3-Përse i ofroheshin këto informacione Agasit, për çfarë i përdorte ai?
4-Çfarë përfaqësonte Agasi, që kishte kaq shumë pushtet, sa që SHISH dhe Policia e Shtetit ti shkonin në zyrë për raportime?
Krimi nuk është marrëdhënia personale e Agasit me zyrtarët e shtetit, sado kompromentuese të duket, por informacioni që shkëmbenin dhe qëllimi për të cilin përdorej ky informacion.
The post Hyseni-Agasi, nuk është “Përputhen”, por një skandal shtetëror! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


