Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur poshtë skenarin e një bojkoti të Kuvendit nga opozita, duke deklaruar se deputetët demokratë do të vijojnë betejën e tyre brenda Parlamentit dhe do të përballen aty me kryeministrin Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha pranoi se bojkoti do të ishte vendimi më i lehtë për opozitën në kushtet aktuale, por argumentoi se një lëvizje e tillë do t’i jepte avantazh politik kryeministrit.
“Vendimi ynë më i lehtë do të ishte bojkoti i Parlamentit, por ky do të ishte avantazh për Ramën”, deklaroi Berisha.
Kreu demokrat tha se Rama po lufton tashmë për mbijetesën e tij politike dhe personale dhe se për kreun e qeverisë nuk ka një rrugë tjetër pas largimit nga posti përveç përballjes me drejtësinë.
“Sot, i damkosur më shumë se kurrë, çdonjëri nga ne duhet ta ketë të qartë se ai po lufton për ekzistencën e tij dhe se nga ajo karrige nuk ka tjetër rrugë veçse në qeli për dhjetëra krime të bëra. Është i aftë të bëjë gjithçka për të ruajtur veten”, tha Berisha.
Pavarësisht akuzave dhe situatës që opozita pretendon se është krijuar në Kuvend, Berisha deklaroi se Grupi Parlamentar i PD-së do të përshtatë strategjinë e tij dhe do të vazhdojë përballjen parlamentare.
“Megjithatë, Grupi Parlamentar do të përshtatet dhe do t’i japë përgjigjet e merituara. Ne jemi në kushte të vështira në Kuvend, por në këto kushte ne duhet t’i japim po aty përgjigjet më të forta të mundshme”, deklaroi ai.
The post “Nga karrigia e kryeministrit, në qeli! Nuk ka zgjidhje tjetër”/ Berisha hedh poshtë skenarin e bojkotit: Do të jemi në Kuvend t’i japim Ramës përgjigjen e merituar! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


