Një incident është raportuar gjatë procesit zgjedhor në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës, ku në një qendër votimi është vërejtur vendosja e flamurit serb.
Rasti ka nxitur reagime të menjëhershme, ndërsa autoritetet kanë vepruar shpejt për largimin e simbolit nga ambientet ku po zhvillohej procesi i votimit.
Sipas raportimeve, menjëherë pasi është konstatuar prania e flamurit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe ka larguar atë nga qendra e votimit.
Burimet bëjnë të ditur se pas largimit të flamurit serb, është vendosur që ai të zëvendësohet me flamurin e Kosova, në përputhje me rregullat dhe procedurat që vlejnë për institucionet dhe qendrat zgjedhore në vend.
Ngjarja ka ndodhur në një ditë të rëndësishme për procesin demokratik në Kosovë, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër mbarëvajtjen e votimit në të gjitha komunat.
Deri më tani nuk është raportuar për incidente të tjera që lidhen me këtë rast, ndërsa procesi i votimit në qendrën përkatëse ka vazhduar normalisht pas ndërhyrjes së autoriteteve.



