Pyetja e parë që duhet shtruar për ata që e akuzojnë opozitës është, vërtetë SHQIPTARËT janë kaq harrestarë të mëdhenj sa ti harrojnë gjithë raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare për Kosovën, të cilat raporte flasin për:
- Gjyqësorin e korruptuar, jo funksional dhe i ndikuar nga politika, a mos duhet thënë, se për këto fajin e ka opozita?
- Krimi dhe korrupsioni i pa ndëshkueshëm dhe si i tillë po i pengon investimet e jashtme dhe zhvillimin ekonomik, a mos edhe kjo duhet t’i përshkruhet opozitës?
- Invazioni fiskal dhe trafiqet e ndaluara me njerëz dhe mallra, a mund t’i përshkruhen opozitës sonë?
- Varfëria e skajshme dhe eksodi i mbi 100.000 njerëzve për shkak të mungesës së pasigurisë dhe pa perspektives, a ia lamë edhe këto opozitës?
- Mungesë e fjalës së lirë dhe sulmi mbi gazetarë e medie, a mund t’i përshkruhen opozitës?
Këtu me qëllim nuk e përmenda Rezolutën e Këshillit të Evropës për Trafikimin me organet e njerëzve dhe krimet e luftës e të pas luftës që u veshën pjesëtarëve te UCK-së, nuk e përmenda nepotizmin, privatizimin e kriminalizuar, haraçin etj. Për të gjitha këto jo pak herë kanë shkruar e raportuar në raportet e tyre Organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Madje po për këto çështje të dënueshme për vite, muaj, javë dhe ditë kanë njoftuar dhe informuar edhe mediat tona të ndryshme, të cilat nuk dihet se për çfarë arsyeje këto ditë i kanë harruar?!
Nga kjo që u tha, shtrohen edhe këto pyetje:
- Kush po e pengon zhvillimin e demokracisë, sundimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik e punësimin e rinisë sonë të mrekullueshme, arsim te standardeve bashkëkohore, shërbime cilësore shëndetësore dhe drejtësinë sociale në Kosovë?
- Kush po bënë marrëveshje të dëmshme për të ardhmen e vendit, kush me vendimet e tija apo të tyre po heqin dorë nga sovraniteti i shtetit dhe po bëjnë hisedarë në sovranitetin e vendit tonë një shtet tjetër?
- A mund t’u përshkruhen të gjitha këto pa ligjësi opozitës e cila po i bënë disa veprime simbolike për të tërhequr vëmendjen për demet e mëdha që po i bëhen vendit me marrëveshjet e Brukselit dhe marrëveshjen e demarkacionit?
- A mos na qenka mëkat i madh pse opozita po kërkon tërheqjen e inicialeve në zotimin që Kryeministri bëri pa e pyetur opozitën dhe qytetarët për ato zotime?
- Vërtetë kush e solli Kosovën në ketë gjendje: pozita apo opozita? Apo, mos dikush po kërkon që opozita, para gjithë këtyre pa rregullsive në qeverisjen e vendit e sidomos në dëmet e pa riparueshme që po ia shkaktojnë vendit marrëveshjet e quajtura ndërkombëtare, ajo duhet t’ia mban ison koalicionit qeverisës a?
Opozita e bashkuar, nuk bëri veprime që mund të cilësoheshin dhunë, për kapjen e institucioneve te shtetit nga partitë qeverisëse (për çka bëri një protestë paqësore), nuk ushtroj dhunë për skandalet e përditshme që mediat njoftojnë në kontinuitet, për të cilat Prokuroria e gjyqet nuk ndërmarrin asnjë hap, nuk përdori dhunën as për krimin ekonomik e korrupsionin e pa ndëshkueshëm, pasi për këto çështje, një qeveri e përgjegjshme mund ta ndryshoj gjendjen.
Opozita po reagon “dhunshëm” për “marrëveshjet” ”ndërkombëtare” të arritura me nguti e pa përgjegjësi, të cilat reflektojnë përtej një mandati qeverisës dhe përtej një e më shumë gjeneratash dhe ketë po e bënë në mbrojtje të tërësisë territoriale e të sovranitetit të vendit.
Opozita nuk duhet assesi të pranon të tërhiqet edhe nga veprimet e “dhunshme” për mbrojtjen e tërësisë territoriale e të sovranitetit të shtetit. Këto veprime janë mënyra e vetme për t’ia ndalë turrin njerëzve të pa përgjegjshëm që bëjnë lehtësisht pazare për hapësirën publike e kombëtare, por jo edhe për pronën private të cilën po e shtojnë, mbrojnë dhe zgjerojnë përditë. Ne një situatë të tillë e gjithë shoqëria duhet të jetë në mbështetje të opozitës.
Dhe krejt në fund.
Është më shumë se e çuditshme, sesi shoqëria jonë civile dhe e gjithë “oponenca” tjetër, dinë të reagojnë ndaj gjerave sekondare siç ishte rasti i “protestës kundër “dhunës” në Kuvend”, gjithnjë në krahasim me marrëveshjet që prekin tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës?! Çka dhe kush i topiti deri në ketë shkallë ndjenjat atdhetare të njerëzve që mos të kenë sensin e reagimit qytetar për çështje kaq të rëndësishme, siç janë: tërësia territoriale dhe sovraniteti i shtetit?!