Një aksion i madh është zhvilluar sot në Prishtinë, konkretisht në lagjen Emshir, ku është arrestuar një person i shumë kërkuar.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Hoxha tha se aksioni është zhvilluar nga njësitë e specializuara të policisë.
“Ju konfirmoj se sot në orët e pasdites në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht FAST-ILECU ka realizuar një operacion në mbështetje edhe të njësive speciale”, tha Hoxha.
Ndryshe, Klan Kosova raporton se personi i arrestuar është Arben Lamçja.
Lamçe, pjesë e grupit Çopja në Elbasan, është i akuzuar për vrasje me pagesë.
Mediat në Shqipëri raportojnë se më 31 korrik të këtij viti me kërkesë të të SPAK, GJKKO lëshoi 30 urdhër arreste.
Ky urdhër lidhet me 6 vrasje të kryera në Elbasan, Rrogozhinë dhe Berat, të cilat pretendohet se janë zbuluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në kuadër të mega operacionit “Plumbi i Artë 2”, i cili është zhvilluar para 5 ditë në Tiranë, Elbasan e Durrës.
Lamçe është i kërkuar nga autoritetet shqiptare, konkretisht nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e njohur si SPAK.