Segmenti i rrugës nacionale Qaf Buall – Klos është kthyer në tmerr për të gjithë drejtuesit e mjeteve.Të gjithë ata që përdorin këtë aks rrugor për të udhëtuar drejt Bulqizës apo Klosit do të përballen me gropa të mëdha dhe deformime të asfaltit në segmentin e fshatit Kloskatund.
Kjo situatë është prej vitesh në këtë segment rrugor pasi kompania mirëmbajtëse “Alko Impex”, nuk ka bërë asnjë investim të qëndrueshëm, duke e lënë aksin vetëm me mirëmbajtje rutinë, të pastrimit të ferrave apo kanaleve vaditëse.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se kalimi në këtë rrugë është shumë problematik për shkak se nuk po investohet.
“Rruga është copë-copë, janë nja dy punonjës të mirëmbajtjes, çfarë të bëjnë ata të shkretët me lopata. Kanalet i kanë pastruar sa kanë mundësi, nuk ve njrri dorë këtu. Të paktën nga ura e fshatit deri në Dushkuq, se shihet, e kanë prishur kamionët, kjo për pak gjë del jashtë loje. Sa herë është bërë problem… Vetëm shpresë te zoti se s’ka gjë tjetër”, u shpreh një qytetar.
Gungat e krijuara në të gjithë segmentin e Kloskatundit e bëjnë kalimin e mjeteve të vogla thuajse të pamundur. Duke qenë se janë taksapagues të rregullt, drejtuesit e mjeteve kërkojnë që rrugës jo vetëm t’i hiqet bimësia e t’i pastrohen kanalet, por të kthehet në parametrat e duhur për të lëvizur çdo lloj automjeti pasi është pjesë e rrjetit të rrugëve nacionale.
“Kjo rrugë është për faqe të zezë, na prishën makinat. Kanë mbuluar disa gropa me beton, se si mbulohen këto me beton, vetëm këto të rrugëve tona i bëjnë. Ne paguajmë taksa, dhe as rrugë s’kemi”, tha një prej qytetarëve që akseson këtë aks.
Ndërkohë edhe një tjetër u shpreh se: “Kjo rrugë është jashtë loje, nuk kemi rrugë në katund, na copëtuan, nuk hedhin një makinë çakëll”.
Ky aks rrugor nuk përdoret vetëm nga ata që qarkullojnë në drejtim të Klosit apo Bulqizës, por edhe banorët e disa fshatrave të Bashkisë Klos.
“Rruga nuk ka më keq, paguaj taksa dhe rrugë nuk ke. Kështu e mbaj mend unë. Duhet të bëhet rrugë të jetë funksionale, fshatrat janë copë-copë. Punë koti.
Rruga është shumë e dobët, po shkatërrojmë makinat me këtë rrugë, jemi hallexhinj dhe lëvizim, është bërë shumë e vështirë”, u shprehën drejtues të tjerë të mjeteve që përshkojnë këtë aks.


