Lista zgjedhore nuk është pastruar nga të gjithë votuesit e ashtuquajtur fiktiv dhe nuk janë verifikuar të gjitha të dhënat e kontestueshme në të. Kështu vlerëson Xhabir Deralla nga Qendra për Liri “Civil” pas të gjitha monitorimeve që kanë bërë që me përgatitjet e KSHZ-së për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit dhe deri në prag të shpalljes së zgjedhjeve lokale.
Vlerësoj se, të paktën siç na ka mësuar përvoja e kaluar, do t’u duhet më shumë kohë për pastrimin e listës zgjedhore sepse ky proces shoqërohet me një sërë anomalish të tjera sistemore që na kanë shoqëruan në dekadën e kaluar por edhe më gjatë. Nuk besoj se këto anomali janë hequr për një periudhë kaq të shkurtër. Për këtë besoj se lista zgjedhore nuk do të jetë e gatshme për zgjedhje nëse ata mbahen më 15 tetor – deklaroi Xhabir Deralla, Qendra për Liri “Civil”.
Anomalitë, sipas Derallës janë në komunikimin mes institucioneve përkatëse dhe para së gjithash mes Ministrisë për Punë të Brendshme dhe KSHZ-së.
Problemet që e shoqërojnë listën zgjedhore nuk kanë të bëjnë vetëm me fshirjen e njerëzve, numri më i madh i tyre në momentin e fundit, por edhe në të dhëna të dyfishta, adresa që akoma nuk janë fshirë dhe ekzistojnë në listën zgjedhore por jo edhe në jetën reale, po ashtu votuesit fiktiv, të më falin ata që e mohojnë ekzistencën e tyre, por ata janë më se të pranishëm në listën zgjedhore – theksoi Xhabir Deralla, Qendra për Liri “Civil”.
Megjithatë një ditë më parë, kreu i KSHZ-së Aleksandër Çiçakovski dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme Oliver Spasovski pretenduan se azhurnimi i të dhënave bëhet vazhdimisht.
Lista zgjedhore varet nga shkalla e saktësisë dhe azhurnimit të të dhënave që marrim nga institucionet relevante. Pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ne kemi pasur një periudhë të mjaftueshme që problemet sistemore t’i adresojmë në mënyrë që të kemi bashkëpunim më të afërt me të gjithë këto institucione – tha Aleksandër Çiçakovski, kryetar i KSHZ-së.
Më e rëndësishme është që lëshime që janë bërë në të kaluarën gjatë dhënies së dokumentave personale të largohen, ata janë larguar por duhet të kërkohet zgjidhje sistematike për lidhje të institucioneve dhe në sistemet e tyre për menaxhim me këto dokumente –u shpreh Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.
Euforia për parregullsitë në listën zgjedhore arriti kulmin në pranverën e vitit të kaluar, kur opinioni mësoi për një numër të madh të letërnjoftimeve të nxjerra pa kërkesë paraprake, shumë votues nga Pusteci i Shqipërisë që brenda natës kishin marrë shtetësi të Maqedonisë, adresa inekzistente dhe votues që nuk jetonin më.
Fatlume Dervishi

