Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar sërish pas vendimit për t’u larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe për t’u deklaruar si deputete e pavarur.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçeku ka publikaur një foto nga kisha, shoqëruar me një mesazh, ku shkruan: “Zot më jep forcë, besim të drejtë e shpresë të sigurtë. Mos na e kurse si popull frymën e urtisë, dhe të kuptimësisë, që kurrë mos të largohena drejt rrugëve t’humbuna”.
Deklarimi si deputete e pavarur u bë nga vetë ajo një ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”, shkroi ajo një ditë më parë teksa njoftoi largimin nga PS.
Po ashtu, më herët gjatë ditës së sotme, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe edhe si “Neomalësorja” ka postuar në rrjete sociale një foto të një flamingoje.
Kujtojmë që lëvizja e qytetarëve që sot shënoi 16 ditë është ‘pagëzuar’ si Revolucioni Flamingo për shkak se nisi si një kundërshtim ndaj projektit në zonën e Zvërnecit, por ajo është zgjeruar deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti prej keqqeverisjes.
The post U largua nga Partia Socialiste dhe u deklarua deputete e pavarur, Marjana Koçeku: Zot më jep forcë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

