Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se është identifikuar, gjetur dhe ndaluar personi i dyshuar për zjarrvënien e dy automjeteve pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.
Sipas MPB-së, menjëherë pas denoncimit për djegien e dy veturave zyrtare në pronësi të ambasadës, më 15.06.2026 rreth orës 12:13, Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup ka ndërmarrë masa intensive për zbardhjen e rastit dhe kapjen e autorit.
“Brenda një kohe të shkurtër u identifikua dhe u lokalizua personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën. Bëhet fjalë për I.D. (44) nga Shkupi, i cili është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacion policor,” thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore është gjetur edhe veshja që dyshohet se personi kishte pasur gjatë kryerjes së veprës.
Në koordinim me prokurorin publik kompetent, po vazhdojnë hetimet dhe po ndërmerren masa shtesë për zbardhjen e plotë të rastit. Pas përfundimit të procedurave, ndaj të dyshuarit do të ngrihet kallëzim penal në procedurë urgjente.
The post MPB: Arrestohet autori që sot u vuri flakën dy automjeteve para ambasadës bullgare appeared first on TV-SHENJA.


