DOSSJER!
E vërteta e UÇK-së nuk tjetërsohet dot!
Sot u bënë gjashtë vjet nga dita kur liria e Kosovës u vu përsëri në bankën e të akuzuarve. Gjashtë vjet nga momenti kur krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u privuan nga liria dhe u dërguan në Hagë.
Ky proces, i maskuar nën petkun e një procedure ligjore, sa vjen e më shumë shpërfaq’ përmasat e një sprove të rëndë politike.
Kjo nuk është thjesht një procedurë individuale ndaj disave, por një përpjekje për të goditur narrativën e vetë luftës sonë çlirimtare dhe për të tjetërsuar të vërtetën historike të Kosovës.
1- Kapërcimi i kushtetutës dhe drejtësia selektive!
Që në originën e tij, ky proces nisi me shkelje serioze të parimeve kushtetuese.
Lëshimi i fletëarrestimit ndaj Presidentit Hashim Thaçi injoroi në mënyrë të drejtpërdrejtë vendimin KO 98/11 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit presidenti gëzon imunitet nga arrestimi ose ndjekja gjatë ushtrimit të detyrës.
Dorëheqja e tij me pjekuri politike e shtetërore u bë për të shmangur krizën institucionale, por rrethanat e vendimit dëshmuan standardet e dyfishta.
Për më tepër, Kosova kishte kaluar tashmë përmes tri valëve të njëpasnjëshme hetimesh ndërkombëtare (UNMIK, Tribunali i Hagës për Ish-Jugosllavinë / ICTY, dhe EULEX).
Krijimi i një gjykate të katërt specifike, Dhomat e Specializuara për UÇK-në përbën një precedent selektiv në të drejtën ndërkombëtare, sidomos kur agresori i dikurshëm që kreu masakra e gjenocid vazhdon të mohojë krimet dhe të shmangë përgjegjësinë.
Ky proces ngjall paralele të qarta me “Aferën Dreyfus”, ku proceset gjyqësore u kthyen në mjete politike.
2- Izolimi administrativ dhe barra mbi familjet!
Prapaskena më e dhimbshme e këtij gjashtëvjetori mbetet ajo njerëzore.
Pas arrestimit, me pretekstin e masave kundër COVID-19, të paraburgosurve iu mohuan për muaj të tërë vizitat e familjarëve, të mbrojtjes konsullore e diplomatike, duke cenuar të drejtat elementare të njeriut.
Familjarët e tyre janë heronjtë e heshtur të kësaj sprove.
Të përballura me udhëtime të gjata pa fluturime të drejtpërdrejta nga Kosova, me shpenzime të larta dhe me barriera burokratike, ato kanë mbajtur mbi shpatulla një peshë ekstra që i kalon kufijtë e normales.
3- Nevoja për reagim institucional e kombëtar!
Kosova nuk mund të mbetet më një vëzhguese pasive e këtij procesi. Asnjë institucion nuk është mbi provën, procedurën dhe të drejtën për drejtësi. Provat e një aktgjykimi duhet të jenë të verifikueshme, të besueshme, pa hamendësime, pa paragjykime dhe jo dokumente (zarfa) të falsifikuara.
Meqenëse ekziston e drejta për korrigjim të padrejtësisë Kuvendi i Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë duke krijuar një Komision Hetimor Parlamentar, me ekspertizë të specializuar ndërkombëtare.
Qëllimi i këtij komisioni duhet të jetë zbardhja e plotë e rrethanave se si u cënuan sovraniteti juridik dhe institucionet e Kosovës gjatë këtij procesi.
E vërteta e luftës sonë nuk rregullohet e as nuk rishkruhet nëpër salla gjyqësore me llogari politike. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet stema e lirisë sonë, ndërsa drejtësia, sa do që të vonohet, në fund do të triumfojë mbi çdo kurdisje e çdo skenar.
Liria ka emër!
UÇK!
Lavdi deshmorëve të kombit!
Respekt e mirënjohje për invalidët dhe veteranët e luftës!
Akuzat nuk qëndrojnë!
Jo në emrin tim!
Jo në emrin e deshmorit!
Jo në emrin e Kosovës!
Liri për çlirimtarët!
<!– Panorama TV desktop
fund Panorama TV–>
<!– Panorama TV mobile
fund Panorama TV–>



