Vuçiç i ankohet BE-së: Kurti nuk flet me mua

Vuçiç i ankohet BE-së: Kurti nuk flet me mua

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u ankua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron fare të bisedojë me Beogradin.

Mediat në Kosovë thonë se duke iu përgjigjur pyetjes për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut, Vuçiç përmendi deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ku thuhej se palët nuk kanë interes dhe besim të mjaftueshëm në dialog dhe se “Serbia i dëshiron bisedimet, por Prishtina jo”.

“Ne jemi të gatshëm ta nënshkruajmë marrëveshjen për personat e zhdukur. Ne duam rezultate, por zyrtarisht mund të them se Prishtina nuk dëshiron të flasë fare me ne”, tha kreu i shtetit serb, që kërkon ta lërë topin në fushën e Prishtinës, me pretendimin se nuk është Beogradi ai që po bëhet pengesë për dialogun.

Albin Kurti tha të dielën se “është diskutuar mundësia e një takimi në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë”.

I pyetur nëse Serbia po e kushtëzon dialogun, Kurti deklaroi se nuk ka informacione për këtë.

Stano u shpreh një ditë më parë se në këtë moment nuk ka gatishmëri as të Prishtinës e as Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog./Top Channel