Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë parregullsishë në funksionimin e SHA MEPSO për vitin 2024. Problemet me pronësinë e linjave të transmetimit, investimet pa dokumentacion, si dhe punësimet e parregullta ndikojnë drejtpërdrejt në efikasitetin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike në vend. Edhe pse kompania gjatë atij viti ka realizuar rritje të të ardhurave nga veprimtaria e saj kryesore, në raport thuhet se janë zbuluar dobësi serioze në punën dhe menaxhimin e saj. Revizorët konstatuan se nga 112 linja të transmetimit, vetëm 53 kanë pronësi të regjistruar, ndërsa për 59 të tjera MEPSO nuk disponon me fletëpronësi.
“Janë konstatuar dobësi në evidencën dhe rregullimin e pronësisë së infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike, përfshirë edhe tokën. Një pjesë e pasurisë nuk ka status juridik të rregulluar, ndërsa ka edhe pasuri për të cilën nuk ekziston evidencë e saktë kontabël. Kjo gjendje ndikon në lartësinë e tarifës për transmetimin e energjisë elektrike, e cila përcaktohet me vendim nga KRrE, në bazë të të dhënave kontabël dhe evidencave financiare të dorëzuara nga MEPSO”, tha Enti Shtetëror i Revizionit.
Revizorët kanë konstatuar parregullsi financiare dhe vonesa të mëdha në realizimin e projekteve investuese të MEPSO-s. Nga gjithsej 102,4 milionë euro kredi të miratuara, plot 53,4 milionë euro, ose 52 për qind, kanë mbetur të patërhequra. Vetëm gjatë vitit 2024, kompania ka paguar 245.629 euro komisione për fondet e pashfrytëzuara, ndërsa shuma totale e interesave dhe komisioneve të paguara për kreditë ka arritur pothuajse në 9 milionë euro.
“Me revizionin e kryer konstatuam se të ardhurat nga veprimtaria kryesore – transmetimi i energjisë elektrike – shënojnë rritje , kryesisht për shkak të tarifave më të larta të transmetimit, edhe pse sasia e energjisë së transmetuar ka pësuar një rënie të lehtë. Njëkohësisht, të ardhurat nga kapacitetet ndërkufitare të transmetimit janë rritur ndjeshëm, disbalancat në rrjetin e transmetimit tregojnë trend stabilizimi, ndërsa humbjet në rrjet janë zvogëluar, megjithëse kostot për mbulimin e tyre vazhdojnë të ndikohen nga çmimet e energjisë elektrike., thuhet në raport.
Vërejtje serioze ka edhe për politikën kadrovike të kompanisë, tek 45 persona të sapopunësuar, janë konstatuar parregullsi në përmbushjen e kushteve të përcaktuara në shpalljet publike dhe sistematizimin e vendeve të punës, ndërsa një pjesë e të punësuarve janë rishpërndarë ose avancuar në detyrë menjëherë pas punësimit të tyre.
Revizioni zbulon se kompania gjatë vitit 2024 është përballur me një sulm kibernetik që ka bllokuar përkohësisht disa sisteme dhe të dhëna të TI-së, ndërsa janë evidentuar edhe probleme të tjera, përfshirë nevojën për riparimin e fasadës së objektit për të cilën më parë janë shpenzuar rreth 8,9 milionë euro, si dhe parregullsi në inventarizim, investime, sponsorizime, donacione dhe menaxhimin e mjeteve financiare.


