“Nëse para disa dekadash sfida ishte hapja e shkollave shqipe dhe kjo e drejtë fitohej me shumë mund e sakrifica, kush do ta kishte menduar se sot në vitin 2026 do të flisnim për mbylljen e tyre. E kjo situatë është në Kosturnik, vendbanim i populluar me shqiptarë, në afërsi të Kumanovës, i cili rrezikon mbylljen përshkak të numrit të ulët të nxënësve”.
Deklarata e ministres së Arsimit se përmes procesit të ashtuquajtur “optimizimit” shkollat që kanë pak nxënës do t’i mbyllin dhe nxënësit të transferohen në shkolla qëndrore, i ka shqetësuar banorët e vendbanimit Kosturnik, sepse nuk duan që fëmijët e tyre nga mosha 6 vjeçare të udhëtojnë 8 kilometra për në shkollë.
Banorët tregojnë se këtë shkollë në të cilën mësohet nga klasa e parë deri të pestën, janë detyruar ta ndërtojnë me mjete vetanake, pasi shkolla qendrore “Braqa Ribar” e cila është në Tabanoc, zhvillon mësim vetëm në gjuhën maqedonase, e nxënësit për të mësuar shqip duhet të shkojnë në Kumanovë.
Qail Qaili, banor
“Ne kemi dalë me mbrojtë shkollën tonë, sepse e kemi ndërtu me vetëkontribut…Prej vitit parë deri në vitin e pestë, ne nuk kemi deshirë që nxënësit të largohen nga fshati. Përndryshe, nga klasa e gjashtë nxënësit shkojnë në shkollën ‘Bajram Shaban’ në Kumanovë”.
Lindita Azemi, prind
“Për mua si nënë është problem që një vajzë si kjo 6 vjeçare të shkoj në klasë të parë në Kumanovë. Unë si nënë bashkë me bashkëshortin jemi kundër, ashtu edhe si banorët tjerë. Bëjmë thirrje që, nuk do të ndalaemi me këto protesta. Nëse është e nevojshme vazhdojmë edhe më tutje, edhe më rreptë”.
Hajdin Azemi, baba i tre vajzave, dhe këtë vit vajza më e vogël e tij pret te hyj në klasë të parë shprehet tejet i shqetësuar për faktin që vajzat e tij të shkojnë në shkollë në qytet.
Hajdin Azemi, prind
“Ne jemi kundër mbylljes së shkollës sepse këtë vit janë 9 nxënës, por vitin tjetër mund të jenë 15. Ne nuk mundemi fëmijën 6 vjeçar ta lëmë të shkoj vetë në shkollë me autobus”.
Femi Xhaferi, ish mësues
“Të na e mbyllin shkollën, fëmija 6 vjeçar, po të ishte cikli më i lartë më ndryshe, por fëmija 6 vjeçar, si do të shkoj në qytet. Ai ka rrezik gjatë udhëtimit, në komunikacion”.
Ndërkaq, banori Valdrin Qerimi, thekson se nuk është në pyetje vetëm mbyllja e objektit si konstruksion, por i një vatre e arsimit në fshatin tonë sepse me këtë në afat më të gjatë stimulohet egzodusi i fshatit.
Valdrin Qerimi, banor
“Ministria e Arsimit dhe Ministria e Bujqësisë bien në kundërshtim me njëra tjetrën, për faktin se nga pushteti qëndror nga njëra anë proklamohet dhe promovohet jeta në fshat me subvencione të ndryshme, kurse ne jemi të detyruar ta lëshojmë fshatin si banorë”.
Ky vendbanim numëron rreth 60 shtëpi dhe 200 banorë rezident. Prej vitit 2019 kur është ndërtuar shkolla e re, por edhe në shkollën e vjetër, numri i nxënësve ka lëvizur rreth 20 nxënës, por shkolla ka funksionuar pa asnjë ndërprerje. Banorët nisën edhe nënshkrimin e një peticioni, kundër mbylljes së shkollës.
Emine Ismaili /SHENJA/


