LSDM sot ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se vepron sipas modelit të ish presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiçit dhe tenton ta heshtë opozitën. Natasha Popoviq nga kjo parti tha se është në panik të plotë për Alta Bankën dhe se ai dhe Trajko Sllaveski e sollën Alta Bankën në vend, duke rrezikuar paratë e qytetarëve dhe sistemin bankar.
NATASHA POPOVIQ, ANËTARE E BORDIT EKZEKUTIV TË LSDM-SË
“Tani Hristijan Mickoski, ose Vuçiçi i vogël, flet për obstruksione dhe kërcënon me ndjekje penale të opozitës, sepse ajo tha të vërtetën për Alta Bankën dhe lidhjen e tij me kartelin kriminal të Vuçiqit. Ky është i njëjti model i Vuçiçit kërcënime, presion dhe përpjekje për të heshtur opozitën. Miratuan një dekret në Kuvend që ndalon fjalën e opozitës për punëtorët ekonomikë. Rrahën fëmijë në Novo Sellë, sepse thanë të vërtetën për helmimin e ujit në Gostivar. Tani po bëjnë ndryshime ligjore me çdo kusht, vetëm që ta heshtin opozitën”.
Ndërkaq nga VMRO-DPMNE-ja kanë deklaruar se kredia prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka e Beogradit për kompaninë e krushkut të Ali Ahmetit konfirmon interesimin e ish-pushtetit të LSDM-së dhe BDI-së për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni. Ata akuzojnë sërish opozitën aktuale për bashkëpunim me ALTA Bankën.
VALENTIN MANASIEVSKI, ZËDHËNËS I VMRO-DPMNE-SË
“Tani është e qartë pse pikërisht Fatmir Besimi, ministër i Financave në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së, në mbledhjen e Qeverisë të datës 24 tetor 2023 e kishte hapur temën e Alta Bankës. Venko Filipçe dhe LSDM-ja duhet të tregojnë qartë se kur e hapën këtë pikë në mbledhjen e Qeverisë, a ishte Davor Macura kriminel? A kishte Alta Banka kapital të dyshimtë në atë kohë? Pse heshtën për bashkëpunimin e BDI-së me Macurën dhe Alta Bankën”.
Pushteti dhe opozita kanë thelluar akuzat e ndërsjella për çështjen e ALTA Bankës. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim me bankën në fjalë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/



