Kreu i Shoqatës të Ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, ka deklaruar se protesta që po zhvillohet prej 26 ditësh në Tiranë ka rikthyer te qytetarët ndjenjën e lirisë dhe se, sipas tij, do të çojë në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për News24, Ndregjoni e cilësoi lëvizjen qytetare si një nga protestat më të rëndësishme të viteve të fundit, duke vënë theksin te roli i të rinjve, të cilët sipas tij kanë kapërcyer frikën dhe janë bërë promotori i ndryshimit.
“Prej 26 ditësh ndihemi qytetarë të lirë. Rinia shqiptare ka vrarë frikën dhe ka treguar se është e gatshme të mbrojë lirinë, mjedisin dhe interesin kombëtar. Kjo është forca që po e mban gjallë protestën”, u shpreh ai.
Ndregjoni kritikoi klasën politike të këtyre 35 viteve, duke argumentuar se tranzicioni nuk ka sjellë demokratizimin e plotë të vendit dhe se qytetarët po kërkojnë një model të ri politik.
Sipas tij, protesta ka tejkaluar kufijtë e një lëvizjeje politike dhe është shndërruar në një mision qytetar për ndryshim.
“Ky është një mision për lirinë dhe për një Shqipëri të re. Shqiptarët po kërkojnë të ardhmen e tyre dhe nuk mund të ndalen më. Dorëheqja e Edi Ramës do të ndodhë, sepse një uragan popullor i këtyre përmasave nuk mund të injorohet”, deklaroi Ndregjoni.


