Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka bërë të ditur se Turqia dhe partnerët e saj në Aleancën e Mekës diskutuan mbështetjen e mundshme për mbrojtjen e Arabisë Saudite, si dhe hapat diplomatikë për zgjidhjen e tensioneve që përfshijnë Jemenin përmes mjeteve paqësore dhe dialogut, transmeton Anadolu.
Duke folur pas një takimi të jashtëzakonshëm të Komitetit Strategjik Politik dhe të Mbrojtjes të Aleancës së Mekës, të formuar nga Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani, Fidan tha se takimi ishte thirrur në dritën e zhvillimeve të fundit në kontekstin e Jemenit dhe Arabisë Saudite.
“Diskutuam në detaje se çfarë lloj mbështetjeje mund t’i ofrohet mbrojtjes së Arabisë Saudite dhe nga ana tjetër çfarë mund të bëhet për zgjidhjen e çështjes në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut”, tha Fidan.
Ai tha se Arabia Saudite kishte treguar një “qasje shumë konstruktive” për zgjidhjen e çështjes dhe se pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin qëndrimin e Riadit gjatë takimit.
“Ne ndamë disa nga pikëpamjet tona”, tha ai, duke shtuar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka “shprehur një vullnet të qartë për këtë çështje dhe si reflektim i këtij vullneti këtu morëm një sërë vendimesh”.
– Puna për strukturën institucionale të aleancës në fazat përfundimtare
Fidan tha se sesioni i jashtëzakonshëm u mbajt paralelisht me një takim të planifikuar më herët, i cili u përqendrua në përpjekjet për institucionalizimin e marrëveshjes së aleancës, të arritur në muajin gusht.
Ai tha se puna për strukturën institucionale të aleancës ka arritur në fazat përfundimtare, ndërsa në takim u trajtuan çështje që përfshinin strukturën e sekretariatit dhe emërimin e një sekretari të ri të përgjithshëm.
Fidan tha se gjatë takimit u miratua kandidati i propozuar nga Pakistani për postin e sekretarit të përgjithshëm, i cili më vonë u konfirmua se ishte Nauman Mahmood, gjeneral-lejtnant në pension nga Pakistani, që do të shërbejë për një mandat trevjeçar.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu çështje teknike që lidhen me aleancën dhe kuadrin e saj të ardhshëm institucional.
Fidan tha se ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare dhe zyrtarë të lartë ushtarakë morën pjesë gjithashtu në takim, duke shtuar se ata kontribuuan veçanërisht në diskutimet lidhur me çështjet ushtarake, operacionale dhe teknike.
Fidan tha se bisedimet u përqendruan si në forcimin e strukturës institucionale të Aleancës së Mbrojtjes së Mekës, ashtu edhe në hapat e mundshëm që mund të ndërmerren në përgjigje të situatës aktuale që përfshin Arabinë Saudite dhe Jemenin.
Ai e cilësoi takimin si produktiv.
Pakti për krijimin e aleancës së re u nënshkrua më 7 gusht, pasuar nga një sërë hapash të ndërmarrë nga tre shtetet anëtare për institucionalizimin e marrëveshjes.


