“Nëse keni konflikte mes vete, zgjidhini në zyrat tuaja. Ne nuk kemi faj për vonesat tuaja, nuk kemi faj për konfliktet dhe përplasjet tuaja politike, dhe nuk pranojmë të bëhemi viktima të tyre”, kështu deklaruan sot punonjësit e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, të cilët protestuan për të tretën herë para Ministrisë së Financave. Flora Gashi, e punësuar në Klinikën e Fëmijëve theksoi se shëndeti nuk ka kombësi dhe se sëmundja nuk pyet për gjuhë.
FLORA GASHI-PUNONJËSE NË KLINIKËN PËR SËMUNDJE TË FËMIJËVE
“Fëmijët janë në rrezik. Pacientët janë në rrezik. Sepse nuk ka mjaftueshëm personel. Si mund të kontrollohen të gjithë fëmijët në kohën e duhur kur nuk ka mjaft punëtorë? Si mund të ofrohet kujdes cilësor kur një motër medicinale duhet të kujdeset për dhjetëra pacientë njëkohësisht?. Çfarë shteti po ndërtoni? Dilni çdo ditë para kamerave dhe flisni për tema dytësore, ndërsa shëndetësinë e keni lënë në gjendje alarmante. Sektori më i rëndësishëm për jetën e qytetarëve po shembet para syve tanë. Pastaj dilni dhe ankoheni pse ndodhin tragjedi.”
Gashi tregoi para mediave kërkesën e bërë nga ana e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve me datë 9 dhjetor 2025, sipas saj një dokumentacion për kërkesat e punëtorëve. Ndërkohë, më 28 prill 2026 Ministria e Shëndetësisë për Ministrinë e Financave, ka kthyer përgjigje përfundimtare, e cila ishte negative. Punonjësit e Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve prej muajsh kërkojnë punësime të reja për shkak të mungesës së stafit. Ata kanë organizuar disa protesta, duke kërkuar zgjidhje urgjente për gjendjen në klinikë.
Zebushe Ramadani /SHENJA/


