Shkupi u zgjua të hënën si një ndër qytetet më të ndotura në botë. Sipas përqendrimit të grimcave PM2.5 dhe PM10 në ajër, kryeqyteti mëngjesin e së hënës u pozicionua në pozitën e katërt në listën e qyteteve më të ndotura. Përpara nesh janë Lahore e Pakistanit, Delhi i Indisë dhe Hanoi i Vietnamit, sipas të dhënave të platformës IQ-air.
Në këtë platformë të hënën në mëngjes ajri në Shkup është shënuar në kategorinë “i pashëndetshëm”. Përqendrimi i grimcave PM2.5 ishte 74.2 miligramë për metër kub ajër, kurse përqendrimi i grimcave PM10 ishte 85.5. Kjo tregon një përqendrim të grimcave PM2.5, 14.8 herë më të lartë se vlera vjetore e udhëzuesit të cilësisë së ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nga qytetet në rajon, më afër Shkupit është Sarajeva në pozitën e gjashtë.
Edhe sipas të dhënave nga stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit, mbrëmë në mesnatë në të gjitha komunat e Shkupit ndotja e ajrit me grimcat PM10 është mbi përqendrimin e lejuar prej 50 miligramë për metër kub ajër. Ajri të ndotur ka edhe në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Manastir, Strumicë, Kavadar dhe Kumanovë.
LSDM ka akuzuar qeverinë se nuk ndërmer asnjë hap për ndotjen e kryeqytetit.
LSDM
“VMRO-DPMNE është pushteti qendror dhe pushteti lokal në Shkup, ka kryetar komunash dhe shumicë në këshilla në Shkup, në Aerodrom, Kisella Vodë, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov dhe askush nuk bën asgjë. Kanë premtuar shumë, por nuk realizojnë asgjë, deri më tani nuk ka asnjë masë për përmirësimin e cilësisë së ajrit”.
Nga opozita pyesin se ku janë sipërfaqet e reja të gjelbra që u premtuan? LSDM thekson se VMRO-DPMNE nuk duhet të anashkalojë këtë çështje të rëndësishme për shëndetin e qytetarëve dhe duhet menjëherë të marrë masa kundër ndotjes. /SHENJA/