Rezultatet e testimeve ndërkombëtare PISA 2025, tregojnë se gjendja e arsimit në Maqedoninë e Veriut është alarmante. Sipas të dhënave nxënësit 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të kenë rezultate dukshëm nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE). Leximi, shkenca dhe matematika janë fushat ku nxënësit kanë shfaqur rezultate shumë të dobëta.
Gjendja më e rënduar është në lexim pasi që vetëm 26% e nxënësve në vend arritën Nivelin 2 ose më të lartë, ndërsa mesatarja e OBZHE-së është 69%. Kjo do të thotë se vetëm 1 në 4 nxënës arrin nivelin bazë të aftësisë për të kuptuar një tekst, për të kuptuar informacionin kryesor dhe për të dalluar idenë kryesore.
REZULTATET E TESTIMEVE PISA
“Në nivelet më të larta, rezultatet janë pothuajse zero: pothuajse asnjë nxënës në Maqedoninë e Veriut nuk arriti Nivelin 5 ose më të lartë në lexim, ndërsa mesatarja e OBZHE-së është 6%”.
Sa i përket matematikës vetëm 32% arrijnë nivelin bazë. Të dhënat tregojnë se vetëm 32% e nxënësve në RMV arritën të paktën Nivelin 2 të aftësisë në matematikë, krahasuar me 65% në mesataren e OBZHE-së. Kjo do të thotë se rreth dy të tretat e nxënësve nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të matura nga PISA. Nxënësit që arrijnë Nivelin 2 mund të kuptojnë dhe paraqesin matematikisht situata të thjeshta, për shembull të krahasojnë distancën e dy rrugëve ose të konvertojnë një çmim në një monedhë tjetër.
Edhe në shkencë, dallimi është i madh, 36% e nxënësve arritën Nivelin 2 ose më të lartë, ndërsa mesatarja e OBZHE-së është 74%. Nxënësit që arrijnë këtë nivel minimal mund të identifikojnë shpjegimin e saktë për dukuri të njohura shkencore dhe të përdorin të dhënat për të përcaktuar në raste të thjeshta nëse një përfundim është i vlefshëm.
REZULTATET E TESTIMEVE PISA
“Në RMV pothuajse asnjë nxënës nuk ishte në Nivelin 5 ose 6 të shkencës, krahasuar me 7% në mesataren e OBZHE-së. Në këto nivele, nxënësit janë në gjendje të përdorin në mënyrë të pavarur dhe krijuese njohuritë shkencore edhe në situata të reja”.
Edhe rezultatet në pikë tregojnë për një dallim të madh me mesataren e OBZHE-së. Në PISA 2025, RMV numëron 380 pikë në matematikë, 357 në lexim dhe 378 në shkencë, ndërsa mesatarja e OBZHE-së ishte përkatësisht 463, 461 dhe 482 pikë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/
The post (VIDEO) Pisa 2025 ndez alarmin në RMV, vetëm 1 në 4 nxënës lexon në nivelin bazë appeared first on TV-SHENJA.



