Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, iu drejtua sot në Shkup Konferencës së Tretë Parlamentare të Nivelit të Lartë, kushtuar bashkëpunimit rajonal dhe rolit të mbikëqyrjes efektive parlamentare në avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Sali theksoi se, në një periudhë kur politika e zgjerimit ka rikthyer rëndësinë e saj strategjike për Evropën, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë këtë momentum për të përshpejtuar reformat dhe për t’i shndërruar angazhimet politike në rezultate konkrete dhe të matshme.
Sipas tij, integrimi evropian nuk mund të udhëhiqet vetëm nga qeveritë, pasi legjitimiteti demokratik, qëndrueshmëria dhe besueshmëria e këtij procesi varen edhe nga përfshirja aktive e parlamenteve.
Sali vuri theks të veçantë te rëndësia e mbikëqyrjes efektive parlamentare për monitorimin e zbatimit të reformave, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies institucionale.
“Parlamenti duhet të ketë rol aktiv në monitorimin e zotimeve reformuese, në identifikimin e vonesave dhe në kërkimin e rezultateve konkrete nga institucionet”, theksoi Sali.
Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për një konsensus të gjerë politik rreth integrimit evropian, duke vlerësuar se perspektiva evropiane e vendit duhet të tejkalojë ciklet zgjedhore dhe interesat partiake.
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua bashkëpunimit parlamentar në Ballkanin Perëndimor dhe diplomacisë parlamentare, të cilat, sipas Salit, përbëjnë instrumente të rëndësishme për ndërtimin e besimit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Sali theksoi se Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit transparent dhe të strukturuar me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
The post Sali: Kuvendet janë në zemër të procesit të integrimit evropian dhe garantues të llogaridhënies së reformave appeared first on TV-SHENJA.



