Sot Maqedonia e Veriut feston 35-vjetori i pavarësisë. Më 8 shtator të vitit 1991 qytetarët përmes referendumit shprehën vullnetin për një shtet të pavarur dhe sovran. Me mesazhe për paqe, prosporitet dhe të ardhme evropiane janë shoqëruar sot urimet e krerëve shtetërorë për pavarësinë e vendit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se pavarësia e vendit është përgjegjësi e përhershme e çdo brezi dhe se qytetarët janë të obliguar ta rregullojnë shtëpinë e tyre. Ajo veçoi edhe largimin e të rinjve nga vendi si një nga sfidat më të mëdha, duke theksuar nevojën për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, të zhvilluar dhe evropian, ku të rinjtë do të krijojnë familje dhe të ardhmen e tyre.
GORDANA SILJANOVSKA DAVKOVA, PRESIDENTE
“Kemi përgjegjësi brezash për t’i përfunduar detyrat urgjente: të çrrënjosim krimin dhe korrupsionin, të vendosim sundim të pakompromis të ligjit dhe të ndërtojmë një shoqëri paqësore dhe të drejtë, me qytetarë të barabartë dhe të njëjtë, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë, boshnjakë apo të tjerë”.
Kryeparlamentari Afrim Gashi në fjalimin e tij tha se në këtë ditë të veçantë dëshiron të uroj që shteti jonë të jetë një vend ku askush nuk ndihet i huaj, ku dallimet janë mundësi për sukses, ku institucionet janë më të forta se interesat e ngushta dhe ku çdo i ri mund të thotë me bindje: “Këtu është vendi im dhe këtu e shoh të ardhmen time”
AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR
“Në themel të shtetit tonë duhet të qëndrojë gjithmonë barazia dhe ndjenja se çdo qytetar e ka vendin e tij të barabartë në shtet. Është detyra jonë e përbashkët të ndërtojmë një shtet ku institucionet u shërbejnë qytetarëve, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku korrupsioni nuk tolerohet dhe ku perspektiva europiane është një qëllim i përbashkët”.
Kryeministri Hristijan Mickoski nga aeroporti I Ohrit deklaroi se invetimet të cilat po i bën qeveria e kanë bërë RMV-në vend më të mire për të jetuar se para disa viteve.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Unë e di se ende kemi shumë probleme për të zgjidhur, e di se ndoshta nuk jetohet ashtu siç dëshirojmë të jetojmë, por gjithashtu jam i bindur se, me të gjitha këto investime që po i bën qeveria maqedonase, me të gjitha këto aktivitete që po i ndërmarrim si Qeveri, sot Maqedonia është një vend shumë më i mirë për të jetuar sesa ishte para tre vitesh”.
Mesazhe uruese për festën pati nga të gjitha partitë politike të vendit.
Më 8 shtator 1991, qytetarët e Maqedonisë, në një referendum historik, votuan me shumicë dërrmuese “po” për pavarësinë e vendit. Vota në referendum shënoi një pikë kthese që nisi procesin e krijimit të një shteti të pavarur dhe ngritjen e institucioneve të veta, rrjetit diplomatik, sistemit të sigurisë dhe politikave ekonomike.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/




