Rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025 tregojnë se Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së në matematikë, lexim dhe shkenca natyrore.
Krahasuar me vitin 2022, rezultatet në matematikë kanë shënuar rënie, ndërsa ato në lexim dhe shkenca natyrore kanë mbetur pothuajse të pandryshuara. Kjo tregon se sistemi arsimor vazhdon të jetë në stagnim dhe nuk ka arritur përparim thelbësor, pavarësisht reformave të ndërmarra.
Në testim morën pjesë 6.977 nxënës nga 124 shkolla, të cilët përfaqësojnë rreth 90 për qind të popullsisë 15-vjeçare në vend.
Leximi mbetet sfida më e madhe
Rezultatet më të dobëta janë regjistruar në lexim me kuptim, përkatësisht në aftësinë e nxënësve për të analizuar informacione, për të nxjerrë përfundime dhe për të menduar në mënyrë kritike.
Nxënësit nga Maqedonia e Veriut kanë arritur mesatarisht 357 pikë në lexim. Vetëm 26 për qind e tyre e kanë arritur nivelin bazë të aftësisë në lexim, krahasuar me mesataren prej 69 për qind në vendet e OECD-së.
Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e nxënësve kanë vështirësi të dallojnë faktet nga opinionet, të analizojnë burime të ndryshme dhe të nxjerrin përfundime të argumentuara.
Rënie e rezultateve në matematikë
Në matematikë, nxënësit kanë arritur mesatarisht 380 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 463 pikë.
Vetëm 32 për qind e nxënësve e kanë arritur nivelin bazë të njohurive matematikore, kundrejt 65 për qind në vendet e OECD-së. Rreth një për qind e nxënësve kanë arritur nivelet më të larta, të cilat kërkojnë zgjidhjen e problemeve komplekse dhe modelim matematikor.
Në shkencat natyrore, Maqedonia e Veriut ka arritur 378 pikë, dukshëm më pak se mesatarja e OECD-së prej 482 pikësh. Në zgjidhjen kompjuterike të problemeve, nxënësit kanë marrë mesatarisht 389 pikë.
Telefonat ua largojnë vëmendjen nxënësve
PISA 2025 ka analizuar edhe mënyrën se si nxënësit mësojnë në botën digjitale. Rezultatet tregojnë se, megjithëse kalojnë shumë kohë para pajisjeve elektronike dhe përdorin mjete të inteligjencës artificiale, niveli i tyre i aftësive digjitale mbetet i ulët.
Rreth 35 për qind e nxënësve kanë deklaruar se telefonat dhe pajisjet e tjera ua largojnë rregullisht vëmendjen gjatë mësimit. Ndërkohë, 33 për qind kanë thënë se pengohen nga përdorimi i pajisjeve prej bashkëmoshatarëve të tyre.
Kjo shpërqendrim digjital lidhet me rezultate rreth 22 pikë më të ulëta në shkencat natyrore, dallim që vlerësohet si pothuajse i barabartë me humbjen e një viti shkollor.
Maqedonia e Veriut mbetet prapa rajonit
Në krahasim me vendet e Ballkanit, Maqedonia e Veriut mbetet ndër shtetet me rezultatet më të dobëta.
Në shkencat natyrore ka arritur 378 pikë, duke lënë pas vetëm Kosovën me 357 pikë. Në lexim ka marrë 357 pikë, kundrejt 341 pikëve të Kosovës, ndërsa në matematikë ka arritur 380 pikë, krahasuar me 351 pikët e Kosovës.
Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë shënuar rezultate dukshëm më të larta në këto fusha.
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë gjithashtu se është thelluar hendeku ndërmjet nxënësve më të suksesshëm dhe atyre me rezultatet më të dobëta. Nxënësit me kushte më të favorshme ekonomike dhe shoqërore vazhdojnë të arrijnë rezultate dukshëm më të mira.




