Ace Velkovski pas takimit me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi punë të përbashkët dhe të përkushtuar për bashkimin e partisë, tejkalimin e ndarjeve të brendshme dhe rikthimin e besimit te qytetarët. Në fokus të bisedës ishin e ardhmja e LSDM-së, sfidat me të cilat përballet partia dhe nevoja për një prani më të fuqishme mes qytetarëve.
Velkovski theksoi se është koha për një fillim të ri, me vend për të gjithë anëtarët, të rinjtë, intelektualët dhe ata që janë ndier të harruar, duke bërë thirrje për unitet, respekt të ndërsjellë dhe punë të përbashkët për një parti më të fortë dhe jetë më të mirë për qytetarët.
Postimi i plotë:
ËSHTË KOHA TË BASHKOHEMI SËRISH. ËSHTË KOHA TË BESOJMË. ËSHTË KOHA PËR NJË FILLIM TË RI!
Sot zhvillova një takim me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, në të cilin biseduam për të ardhmen e partisë, për sfidat me të cilat përballemi dhe për nevojën e punës së përbashkët në terren, mes njerëzve, aty ku krijohet besimi.
U dakorduam të punojmë së bashku, me përkushtim dhe përgjegjësi, me një qëllim të përbashkët – rikthimin e fuqisë së LSDM-së, rikthimin e besimit te qytetarët dhe krijimin e kushteve për fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Por, pas çdo fitoreje politike duhet të qëndrojë diçka shumë më e rëndësishme – një jetë më e mirë për qytetarët.
Besoj se LSDM-ja duhet të jetë sërish shtëpi e të gjithë anëtarëve të saj, e atyre që e kanë ndërtuar partinë ndër vite, e atyre që kanë qenë në vijën e parë, por edhe e atyre që gjatë viteve të fundit janë ndier të harruar ose të përjashtuar.
Duhet të ketë vend për të rinjtë, për gjeneratat e reja, për njerëzit e ndershëm dhe të dëshmuar, për intelektualët, sektorin civil dhe për çdo njeri që beson se Maqedonia mund dhe meriton më mirë.
Nuk duhet të lejojmë që zhgënjimi të jetë më i fortë se shpresa, e as ndarjet më të forta se e ardhmja e përbashkët.
Nuk na duhet një LSDM e individëve. Na duhet një LSDM e anëtarësisë, e qytetarëve dhe e idealeve për të cilat ekziston.
Unë besoj në unitet, në respekt të ndërsjellë, në punë dhe në përgjegjësi. Besoj se mund të ndërtojmë energji të re dhe të hapim një faqe të re, në të cilën secili do të ndihet i pranuar, i respektuar dhe i vlerësuar.
Sepse politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Ajo duhet të jetë mënyrë për t’u shërbyer njerëzve.
Është koha t’i lëmë dallimet pas, t’i bashkojmë forcat dhe ta rikthejmë shpresën.
Për një parti më të fortë. Për një demokraci më të fortë. Për një jetë dinjitoze për çdo qytetar.
TË BASHKOHEMI. TË NDODHË POPULLI. TË NDODHË FILLIMI I RI!


