Aco Velkovski, koordinator i LSDM-së në njësinë e tretë zgjedhore, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së organizimit të festimeve për 8 Shtatorin, duke kërkuar transparencë të plotë për shpenzimin e parave publike.
“Kryeministri u bë kryetar i komunës!”, shkruan Velkovski, duke kritikuar praktikën e disa kryetarëve të komunave që, sipas tij, organizojnë manifestime dhe spektakle me këngëtarë e grupe të huaja me para publike, ndërsa më pas mungon transparenca për faturën.
Sipas tij, kryeministri ka ndjekur të njëjtën formulë, duke organizuar një spektakël në nivel shtetëror me miliona euro nga buxheti.
Velkovski thekson se askush nuk është kundër festimeve, koncerteve apo artistëve të huaj, por kur shpenzohen paratë e qytetarëve, publiku ka të drejtë të dijë gjithçka.
Ai kërkon përgjigje për disa pyetje:
* Sa kushton saktësisht e gjithë festa?
* Kush i ka nënshkruar kontratat?
* Kush i ka përzgjedhur artistët dhe sipas cilave kritere?
* Cilat kompani dhe ndërmjetës janë angazhuar?
* Ku janë kontratat dhe faturat?
* Ku është publikuar shuma e plotë që do të paguajnë qytetarët?
“Tregoni kontratat! Të plota. Publikisht. Pa fshehje.”, kërkon Velkovski.
Ai gjithashtu thekson se rreth 22 për qind e popullsisë, sipas tij, janë në rrezik nga varfëria, ndërsa shumë qytetarë përballen me çmimet e larta, faturat dhe vështirësitë për të përballuar muajin.
Në fund, Velkovski i drejtohet kryeministrit dhe kryetarëve të komunave me një mesazh të qartë:
“Gëzuar 8 Shtatorin! Vitin e ardhshëm nuk do t’ju urojmë vetëm me fjalë. Do t’ju urojmë me kontrata, fatura dhe llogari të publikuara.”
🇲🇰 Gëzuar festën, Maqedoni!




