Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski ka deklaruar se MPB tashmë ka informacione dhe prova fillestare për të dyshuarit për vrasjen e 26 vjeçarit tek lagjja Dyqanxhik, mbrëmjen e të dielës. Ai bëri të ditur se një nga të dyshuarit në incident është një person që aktualisht vuan dënimin me burg. Sipas ministrit Toshkovski, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike do të hetojnë se si një person që vuan dënimin me burg është i përfshirë në një ngjarje të tillë kriminale.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Në këtë moment, zyrtarisht nuk do të mund të përcaktoja se cilat janë motivet. Mund të theksoj vetëm se po punohet intensivisht për këtë vepër penale. MPB-ja ka informacione fillestare për autorët. Gjithashtu janë siguruar prova përkatëse lidhur me identitetin e autorëve, kështu që shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur t’i sigurojmë ata dhe të përballen me ndjekje penale”.
Toshkovski u dërgoi mesazh personave të cilët sipas tij, sillen si të paprekshëm dhe shëtisin lirshëm nëpër rrugët e vendit.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Mund t’u dërgoj një mesazh të gjithë atyre që mendojnë se janë të paprekshëm dhe që mendojnë se mund të shëtisin nëpër rrugët e Maqedonisë, se atyre do t’u përgjigjet në mënyrë të përshtatshme nga Ministria e Punëve të Brendshme”.
Të dielën rreth orës 23:30, në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Prohor Pçinski” dhe “Vojdan Çernodrinski”, dy persona me motoçikletë gjuajtën me armë ndaj një grupit me pesë persona, ku edhe u qëllua për vdekje 26 vjeçari.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/




