Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, u ka bërë thirrje shqiptarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit në Luginën e Preshevës, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit politik dhe institucional të shqiptarëve.
Izet Mexhiti ka vlerësuar se zgjedhjet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përbëjnë një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të shqiptarëve në këtë rajon.
Në një mesazh drejtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Mexhiti ka theksuar se sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë janë shqetësime të përbashkëta që tejkalojnë kufijtë shtetërorë.
Ai ka përmendur si çështje me rëndësi respektimin e të drejtave kombëtare, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, arsimin, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë.
Sipas Mexhitit, bashkimi i subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët përbën një zhvillim të rëndësishëm, pasi dëshmon se interesat e përbashkëta mund të tejkalojnë dallimet politike.
“Përtej dallimeve politike, ekzistojnë çështje dhe interesa të përbashkëta që kërkojnë koordinim, përgjegjësi dhe angazhim institucional”, thuhet në mesazhin e tij.
Mexhiti ka theksuar gjithashtu se përvoja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dëshmon rëndësinë e përfaqësimit politik dhe të angazhimit institucional në avancimin e të drejtave kombëtare.
Ai ka nënvizuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës meritojnë respektimin e plotë të identitetit kombëtar, arsimim në gjuhën amtare, mundësi të barabarta ekonomike dhe përfaqësim të denjë në të gjitha nivelet institucionale.
Një mesazh të veçantë, Mexhiti ua ka drejtuar edhe shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në Çair, në diasporë dhe në vende të tjera, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në procesin zgjedhor.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.
Në përfundim, Mexhiti ka theksuar se të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë pjesë e pandashme e parimeve të barazisë, dinjitetit njerëzor dhe demokracisë, ndërsa respektimi i tyre duhet të mbetet përgjegjësi e vazhdueshme institucionale.



