Dionis XHAFA
Këta kohë ka nisur një “fushë-betejë” e ballafaqimit të liderëve politikë shqiptarë me vezët. Sa duket, në pamundësi për të gjetur një reagim më sensitiv, gjuajtja me vezë është një zgjidhje e mundshme për të bërë të dukshme disa kauza të caktuara.
Zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës nuk i kanë shpëtuar qëllimit me një vezë, duke filluar që nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, njeriu që konsiderohet më i fuqishmi politikisht në Kosovë Hashim Thaçi, zv/ministri për Integrimet Evropiane të Kosovës Petrit Selimi, si dhe kreu i qeverisë së Tiranës Edi Rama.
Zyrtarët e Kosovës u qëlluan për shkak se sipas Vetëvendosjes, lëvizje kjo që organizoi qëllimet me vezë, ka shitur Kosovën tek Mali i Zi dhe në Kosovë po vendosin “Republikë Serbe”. Zyrtarët e lartë të Kosovës duhet të duronin jo vetëm vezët, por deri edhe bomba apo mjete të tjera, derisa përfundoi që parlamenti u mbajt në një dhomëz.
Ndërkaq, kreut të qeverisë së Tiranës i qëlluan me vezë për shkak të ligjit të Arsimit të Lartë, ku disa studentë pretendojnë se favorizon klasën e pasur.
Deri më tani janë goditur me vezë zyrtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Edhe goditja me vezë ngjan paksa veprim i tepruar, pasi nuk është mjet mirfilli demokratik, por se “lufta” më mirë duhet të ishte ideore dhe në këtë “luftim” idesh të gjykohej nga njerëzit se kush ka më të drejtë.
Por, derisa Rama e Mustafa u qëlluan fizikisht me vezë, figurativisht Ahmeti me çfarë meriton të goditet (figurativisht pasi fizikisht asnjë veprim nuk mund të jetë i ligjëruar)?
Skandali më i fundit që duket sheshit dhe që ka zënë vend si lajm edhe në medie të huaja është se Tetova është shpallur “kampione” në “garën” si qyteti më i ndotur jo në rajon, as në Evropë, por në të gjithë botën. Pra ka fituar “medaljen e artë” të qytetit më të ndotur në botë, në një listë ku veç Tetovës nuk kishte asnjë qytet tjetër evropian.
Pasi e ka shndërruar Shkupin në kryeqytetin e turpit, të ndërtesave mono-etnike maqedonase, me histori të fryrë mbi taksa publike, Ali Ahmeti ka “goditur” qytetarët tashmë të Tetovës.
Pasi i ka ndarë shqiptarët e Shkupit me maqedonasit, të lënë në një gjendje jo të mirë ekonomike dhe me ndasi nga pjesa e banuar nga maqedonas, Ahmeti ka nisur të helmojë tetovarët.
Gazrat dhe tymrat që prodhon “Jugohromi” këtu e vite me rradhë kanë krijuar një qytet që mbytet i tëri në një zymtësi të madhe.
Edhe protestat e organizuara kundër “Jugohromit”, ku maskat e protestuesve më tepër se figurative në Tetovë janë realitet, duket se u shuan dhe qeveria iu preu fjalët anti-ndotje.
Figurativisht Ahmetit duhej ti vihej ndonjë maskë në fytyrë ose të nxirrej në mes të qytetit kur ndotja është më e madhe dhe ti mbushte mirë mushkëritë me ndotjen që prodhon fabrika.
Kështu, do të përmbushej disi kritika ndaj disa çështjeve që politikanët e shteteve të banuara kryesisht nga shqiptarët, nuk po i përmbushin.