Kim Mehmeti
Bëhuni gjithnjë e më shumë, sepse kështu e zbukuroni Shqipërinë dhe vetëm kështu do ta mposhtni Piktorin, i cili nuk e kursen as familjen e Presidentit amerikan për ta mbuluar fytyrën vetjake të shkatërrimtarit të shqiptarisë.
Brohorimat tuaja kundër plehut politik tridekadësh, që ka mbuluar mëmëdheun, janë ftesa më e sinqertë për investitorët e huaj dhe investimi më i madh strategjik që ndonjëherë është bërë në Shqipëri.
Jo vetëm se po e largoni plehun politik që e ka mbuluar dhe po e kalb Shqipërinë, por ju po e shpëlani edhe mëkatin e gjeneratës sime, e cila ju la në duart e burrështetasve, të cilëve nuk do t’u besohej as një fermë pulash, ngaqë do t’i hanin shpendët dhe do t’i vidhnin vezët.
Mos bini pre e “mendjendriturve” të shumtë që dalin nëpër ekranet e televizioneve të financuara nga krimi, duke e mbrojtur Piktorin, sepse ata për këtë paguhen dhe, nëse bie punëdhënësi i tyre, ata mbeten pa grazhdin ku majmen dhe pa baltën e turpit, ku përpëliten si derra.
Jo vetëm tani, por gjithmonë, Shqipëria do të mburret me ju e do të turpërohet nga ata që sot duan ta heshtin dhe ta komprometojnë zërin tuaj të sinqertë rinor, i cili mëmëdheut ia freskon damarët e shpresës dhe krenarisë.


