Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Aktgjykimi u shpall më 16 shtator 2026.
Në një reagim të tij, Meidani është kthyer te viti 1999 dhe te pritja e refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se për të ajo periudhë nuk është thjesht histori, por kujtesë.
Më poshtë është shkrimi i plotë i publikuar nga ambasadori Denion Meidani:
Isha mbase tepër i ri kur Shqipëria, me babain tim, President të Republikës, hapi kufijtë dhe zemrën për refugjatët e Kosovës që iknin nga vrasjet, spastrimi dhe makina e terrorit të Millosheviçit.
Viti 1999 nuk është për mua vetëm histori.
Është kujtesë.
Kujtesa e një Shqipërie, por edhe e një Maqedonie të Veriut, që u bënë strehë e mburojë për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës.
Kujtesa e një populli që luftonte për të mbijetuar, për të qenë i lirë, për të mos u zhdukur nga toka e vet.
Kujtesa e një kohe kur bota demokratike vendosi të mos qëndronte spektatore.
Njëzet e shtatë vjet më vonë, katër prej atyre guximtarëve që udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u dënuan sot në shkallë të parë.
Për mua, drejtësia nuk është dhënë.
Sot, si Ambasador i Shqipërisë në Shkup, kjo peshë ndihet edhe më trishtueshëm, mes një komuniteti shqiptar që këtë luftë nuk e ka mësuar në libra. Bijtë e tij e kanë luftuar. Familjet e tij kanë sakrifikuar. Ky komunitet e njeh mirë çmimin e lirisë, sepse e ka paguar vetë.
Shqiptarët e dinë mirë se liria nuk na u fal.
U fitua me gjak.
U mbrojt me sakrificë.
U bë e mundur me guximin e UÇK-së dhe me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s.
Prandaj, sot qëndrojmë me dinjitet pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit.
Është shkalla e parë.
Ka apel.
Dhe duhet drejtësi për çlirimtarët.
Besoj fort në drejtësi dhe besoj se ky aktgjykim duhet të rrëzohet.
Sepse historia jonë mbase mund të gjykohet.
Por kurrë nuk mund të rishkruhet.
#UCK
The post Denion Meidani: Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit – duhet drejtësi për çlirimtarët appeared first on TV-SHENJA.



