Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka shprehur keqardhje të thellë për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Përmes një reagimi, Kasami ka deklaruar se vendimi është i rëndë për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët, sipas tij, kanë dhënë kontribut në luftën për çlirimin e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë larg familjeve të tyre.
“Ky aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kasami.
Ai e ka cilësuar luftën çlirimtare në Kosovë si “pjesën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare”, ndërsa ka shprehur pritjen që vendimi të rishqyrtohet në Apel.
“Presim që Apeli ta rishqyrtojë dhe ta rrëzojë këtë vendim”, ka theksuar Kasami.
Në reagimin e tij, bashkëkryetari i VLEN-it ka shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, me bashkëluftëtarët e tyre dhe me të gjithë ata që, siç thotë ai, e përjetojnë këtë ditë me dhimbje.
“Historia e Kosovës është histori e një populli që luftoi për liri. Dhe kjo histori nuk rishkruhet”, përfundon Kasami.
Gjykata Speciale në Hagë shpalli sot aktgjykimin në shkallë të parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, ku të gjithë së bashku u dënuan me 81 vite burgim në një proces që kishte nisur në prill të vitit 2023.




