Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Hagë, duke rikujtuar përmasat e viktimave dhe pasojave të luftës në Kosovë.
Në një postim, Qoku ka renditur një sërë shifrash që, sipas tij, dëshmojnë për pasojat e rënda të luftës ndaj popullsisë së Kosovës.
Qoku shkruan se 12.300 persona humbën jetën gjatë luftës, ndërsa 1.200 fëmijë u vranë. Ai përmend gjithashtu 94 fëmijë që vdiqën si pasojë e kushteve të luftës dhe rreth 100 fëmijë që ende rezultojnë të zhdukur.
Sipas tij, rreth 20.000 gra dhe vajza janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Ai rikthen në vëmendje edhe çështjen e personave të zhdukur, duke theksuar se nga rreth 4.500 persona të zhdukur pas luftës, mbi 1.500 ende nuk janë gjetur.
Qoku përmend edhe dëmet materiale dhe zhvendosjen masive të popullsisë, duke shkruar për 120.000 shtëpi të djegura dhe të rrënuara, rreth 900.000 shqiptarë të dëbuar jashtë Kosovës, si dhe 500.000–600.000 persona të zhvendosur brenda territorit të Kosovës.
Të dhënat e fundit institucionale të Kosovës dokumentojnë 12.230 viktima për periudhën 1 janar 1998–20 qershor 1999, ndërsa raporti i publikuar në korrik 2026 evidenton 1.047 fëmijë të vrarë, 94 të vdekur si pasojë e kushteve të luftës dhe 100 fëmijë të zhdukur me dhunë. Lista është preliminare dhe mund të përditësohet me të dhëna të reja.
Ndërkohë, UNMIK ka bërë të ditur në gusht 2026 se më shumë se 1.500 persona ende rezultojnë të zhdukur nga konflikti në Kosovë.
Duke iu referuar këtyre shifrave, Qoku e mbyll reagimin e tij me një mesazh për kujtesën dhe drejtësinë:
“Pas çdo numri është një jetë, një vuajtje, një mundim, një histori.”
Ai më tej kritikon vendimet e marra ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke shkruar:
“Megjithatë u dënuan luftëtarët e lirisë që vepruan vetëm në trojet e veta, luftuan për lirinë e popullit të vet. Vetëm drejtësi nuk i thuhet kësaj në Hagë.”




