Agjencia e OKB-së për fëmijët (UNICEF) ka bërë të ditur se rreth 79 mijë fëmijë janë zhvendosur në Jemenin perëndimor në më pak se një muaj, mes luftimeve të përshkallëzuara ndërmjet forcave qeveritare dhe Huthive, transmeton Anadolu.
“Përgjatë Jemenit perëndimor, armiqësitë e rifilluara dhe ndryshimi i vijave të frontit kanë thelluar një krizë tashmë shkatërruese humanitare”, tha UNICEF në një raport.
Agjencia tha se luftimet në provincat Taiz dhe Al Hudaydah, në bregdetin perëndimor dhe zonat përreth kanë detyruar familjet të largohen sërish, duke lënë pas shtëpitë, pasuritë dhe burimet e tyre të jetesës.
“Midis 3 dhe 30 shtatorit, më shumë se 145 mijë njerëz janë zhvendosur, përfshirë rreth 79 mijë fëmijë”, tha UNICEF-i.
Agjencia paralajmëroi se përshkallëzimi i fundit vjen në një situatë tashmë të rëndë humanitare në një vend ku nevojat janë ndër më të lartat në botë.
“Më shumë se 12 milionë fëmijë në Jemen kanë nevojë për ndihmë humanitare”, tha ajo.
UNICEF-i tha se disa familje të zhvendosura po qëndrojnë në kampe të mbipopulluara, me qasje të kufizuar në ujë të pastër, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera thelbësore, ndërsa shumë prej tyre kanë mbërritur me pak më shumë se rrobat që kishin veshur.
Agjencia tha se vazhdon të mbështesë komunitetet e prekura, ndërsa bëri thirrje për qasje të sigurt humanitare tek fëmijët që kanë më shumë nevojë.
Dje, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg, bëri thirrje për ndalimin e luftimeve në provincën Taiz dhe për mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile.
Jemeni ka përjetuar në orët e fundit përshkallëzimin më të gjerë ushtarak në tre javë ndërmjet forcave qeveritare dhe Huthive.
Zhvillimet janë pjesë e një përshkallëzimi që filloi në korrik, më intensivi që nga qetësia relative pas armëpushimit të prillit 2022.
Luftimet u intensifikuan në shtator, duke çuar në kontrollin nga Huthit të disa lokacioneve kyçe në provincat Al Hudaydah dhe Taiz, përfshirë qytetin strategjik Mokha, si dhe u shtrinë në ishullin Mayun, i cili mbikëqyr Ngushticën Bab el-Mandeb.
Jemeni është në luftë që nga shtatori i vitit 2014, kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe të disa provincave, përpara se një koalicion arab i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë jemenase.
The post UNICEF: Rreth 79 mijë fëmijë të zhvendosur në Jemenin perëndimor në më pak se një muaj appeared first on TV-SHENJA.


